Pa u hapur ende zyrtarisht fushata zgjedhore, politika kosovare ka filluar ‘përkëdheljen’ e diasporës, sa për t’ia ndezur motorrat që iu duhen pas 31 dite, shkruan Gazeta Metro.
Edhe pse zgjedhjet parlamentare mbahen më 7 qershor, vetëm nisja e regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit ka mjaftuar që rrjetet sociale të mbushen me video patriotike, thirrje emocionale dhe mesazhe mobilizuese për mërgatën, e që nuk janë të panjohura.
Disa me me hedhje faji për dështime të veta ndaj të tjerëve, e disa me sentimentalizëm, me rëndësi mesazhi po arrin në adresën e diasporës, të cilët në kohë fushate kanë vëmendjen në Oktavë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, fajësoi opozitën për rikthimin e vendit në zgjedhje, duke pretenduar se “vullneti i qytetarëve” po bllokohet nga kundërshtarët politikë, konstatim ky jo i panjohur nga ana e Kurtit.
Ani pse në pozitën e U.D. të Presidentes, Albulena Haxhiu mes lavdeve për diasporën u kërkoi të “vazhdojnë kontributin e tyre për Kosvonën”, për të ardhur në votime me 7 qershor.
Nuk e harroi dhe një këshillë Haxhiu për diasporën; “ndihmoni njëri tjetrin” tha në mënyrë që të arrijnë të regjistrohen edhe ata që nuk dinë.
Me stil më ndryshe por me mesazh të njëjtë, edhe Agim Bahtiri i VV’së me kritika të shumta për opozitën që sipas tij e çuan vendin në zgjedhje, iu ka bërë thirrje mërgatës të regjistrohen për votim.
Me një muzikë të lehtë në sfond të videos Bahtiri u tregoi qytetarëve se “halli i opozitës ishte rrëzimi i Albin Kurtit”, ku iu lut diasporës të regjistrohen për t’a votuar.
Në anën tjetër, ish-presidentja Vjosa Osmani me ton më emocional, iu drejtua mërgimtarëve me mesazhe për mallin ndaj Kosovës dhe duke e mbyllur videon me fjalët, “ju dua”.
Në videon e saj, me fotografinë e Ibrahim Rugovës në sfond, Osmani s’harroi t’i ftonte mërgatën për zgjedhje.
Kujtojmë se subjektet politike kanë afat deri nesër për t’u regjistruar në KQZ. Deri tani janë paraqitur 18 parti dhe iniciativa politike.
Zgjedhjet, tashmë pothuajse zakonisht të parakohshme, po mbahen pak pas nisjes së mandatit të Qeverisë Kurti III. Qeveri e legjislaturës së dhjetë që doli nga zgjedhjet me 51.1 për qind të votave, shumë shpejt u kurthurua me tjetër bllokadë politike.
Shtatë qershori është caktuar si data kur do të votohet për zgjedhjet parlamentare, ndërsa KQZ-ja ka vendosur afatet dhe procedurat deri në ditën e zgjedhjeve. Dje me nisjen e regjistrimit të votuesve nga diaspora, është hapur edhe fronti i parë i fushatës: gara për votën e mërgatës./gazetametro.net