Kuvendi i Kosovës ka dështuar që ta miratojë në lexim të parë Projektligjin për tërheqjen e kursimeve nga Trusti. Menjëherë pas mos-votimit të këtij Projektligji, të gjitha partitë opozitare e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, shkruan Gazeta Metro.
Para pak çastesh është votuar projektligji që mundësonte tërheqjen e mjeteve nga fondi i kursimeve pensionale, Trust.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili vetë votoi kundër, bëri me dije se pro këtij projektligji kanë votuar 44 deputetë, 57 kundër dhe një ka abstenuar.
Në sallë ishin 102 deputetë, derisa Projektligji ishte propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu i PDK’së.
Mirëpo pas dështimit të miratimit të këtij projektligji, partitë opozitare e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.
Në sallë aktualisht janë 61 deputetë dhe seanca po vazhdon. /gazetametro.net