Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, reagoi pas vendimit të Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e zgjatur afatin deri më 20 korrik, përcjell Gazeta Metro.
Kurti për këtë zhvillim deklaroi se institucionet e vendit nuk kanë qasje në proceset e brendshme të kësaj gjykate, të cilën e cilësoi jo transparente.
“Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje ne dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale”, ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu u ndal te roli historik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ajo luftë do të mbetet e vlerësuar në histori.
“Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë… Në vend se të kemi gjykata normale kemi një gjykatë speciale e cila i vonon vendimet. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së”, deklaroi Kurti./gazetametro.net