Pasi që tashmë është edhe zyrtare largimi i Giorgio Chiellinit dhe Paulo Dybalas nga Juventus, pritet të largohet edhe sulmuesi italian, Federico Bernardeschi i cili sipas raportimeve të fundit nuk ka arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës me drejtuesit e ‘Zonjës së Vjetër’, transmeton Gazeta Metro.
Juventus pas një sezoni jo edhe të mirë duket se ka filluar të mendoj të reformoj klubin pasi që disa nga figurat kyçe vitet e fundit po largohen nga Torino.
Bernardeschi i cili iu bashkua ‘Biankonerëve’ nga Fiorentina në vitin 2017, do të bëhet lojtari më i fundit i Juventusit që do të largohet nga klubi këtë verë.
Ai pritet të largohet si lojtar i lirë pasi që kontrata aktuale e 28-vjeçarit skadon më 30 qershor. Italiani ka qenë i përfshirë në diskutime që disa muaj për të zgjatur kontratën por në fund siç raportojnë mediat italiane të dyja palët nuk kanë rënë në dakord për kushtet e ofruara.
Ish-sulmuesi i Fiorentinës këtë sezon për skuadrën e Massimiliano Allegrit është paraqitur në 35 ndeshje në të gjitha garat derisa ka realizuar vetëm dy gola ndërsa ka regjistruar gjithashtu edhe gjashtë asistime. /gazetametro.net