Urim Suka asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Suharekë, ka kërkuar dorëheqjen e kryetari të kësaj Komune, Bali Muharremaj, shkruan Gazeta Metro.
Në mbledhjen e rregullt për vitin 2023, në Kuvendin Komunal të Suharekës, u kërkua dorëheqja e kryetarit të kësaj komune Bali Muharremaj.
Kjo kërkesë për dorëheqje të Muharremajt vjen pas arrestimi të dy zyrtarëve të komunës, për keqpërdorim me paranë publike.
Enver Shabani , drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i kësaj komune, dyshohet se kanë shkaktuar dëm prej 74 mijë euro në komunë.
Sot asambleisti i LDK’së, Urim Suka, tha se arrestimi i këtyre dy zyrtarëve nuk janë thjeshtë një rast i izoluar i shkeljeve ligjore.
“Kjo është formulë qeverisëse që ju keni instaluar në komunën tonë, prandaj përgjegjësia nuk është vetëm e zyrtarëve të arrestuar. Ata janë fajtor vetëm për pjesën që kanë dëgjuar urdhërat e kryetarit, sepse probleme të tilla janë në shumicën e kontratave. Prandaj kryetari nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Prandaj kryetari duhet të dorëhiqet dhe t’i japë mundësi drejtësisë të zbardhë secilin vendim të kundërligjshëm që ka marrë gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Suka.
Ndryshe, në aktvendimin për fillimin e hetimeve ndaj dy zyrtarëve të lartpërmendur, të cilin Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda e ka marrë ndaj Shabanit dhe Kabashit, thuhet se të njëjtit prej 18 majit 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë, të njëjtit me dashje shkelin Ligjin e Prokurimit Publik.
Sipas vendimit, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18 maj 2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës, caktohen në menaxhimin e kontratës me titull “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania” në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për operatorin ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.
Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës, i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 centë.
Me këtë, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.3, nënpar.3.1 dhe 3.2 lidhur me par. 2 dhe 1. lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /gazetametro.net