Parlamenti i Izraelit votoi që të shpërndahet të enjten dhe caktoi zgjedhjet e radhës të mbahen me 1 nëntor. Sipas marrëveshjes së vitit të kaluar Yair Lapid do të bëhet kryeministër i përkohshëm të premten, transmeton Gazeta Metro.
Listat e partive për zgjedhjet izraelite duhet të dorëzohen deri më 15 shtator. Kryeministri i deritanishëm Naftali Bennet, siç ishte njoftuar nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme dhe do të zëvendësohet nga Aeylet Shaked.
Një ceremoni e shkurtër e zëvendësimit të Bennett nga Lapid do të mbahet pasditen e të enjtes në zyrën e kryeministrit izraelit pa prezencë të mediave dhe të ftuarve.
Lideri i opozitës izraelite Benjamin Netanyahu reagoi pak kohë pas vendimit se “kjo ndodhë kur përzini së bashku një parti false të djathtë me parti të skajshme majtiste” tha Netanyahu dhe shtoi se partia e tij Likud mbetet alternative e vetme. “ Kjo është çështja e zgjedhjeve të ardhshme. A do të kemi një qeveri të dështuar Lapid, të varur nga Vëllazëria Myslimane bashkëpunëtorë me mbështetësit e terrorizmit apo një qeveri e gjerë e dhe e fortë kombëtare e kryesua nga ne që do të kthejë krenarinë, fuqinë dhe shpresën në Izrael”./gazetametro.net