Loading…

Paralizohet Gjermania, transporti publik në grevën më të madhe në dekada

  • 27/03/2023 | 12:27

Paralizohet Gjermania, transporti publik në grevën më të madhe në dekada

Gjermanët u zgjuan në kaos, këtë të hënë, ndërsa dy sindikatat kryesore të transportit publik hynë në grevë mbarëkombëtare, më e madhja që ka parë vendi në 30 vite. Stafi i aeroporteve, porteve, hekurudhave, autobusëve dhe metrove braktisi punën pak pas mesnate, për një pauzë 24-orëshe duke zhytur vendin në paralizë. Sindikatat kërkojnë paga më të larta për të ndihmuar punonjësit të përballojnë kostot në rritje të jetesës rreth vendit. 


Fluturimet u anuluan në Mynih dhe Frankfurt, dy prej aeroporteve më të mëdha të vendit, e po ashtu në Bremen, Hamburg e Shtutgart.

Shoqata e Aeroporteve tha se mbi 380 mijë pasagjerë të fluturimeve ajrore do të prekeshin nga greva, por theksoi se masa ishte plotësisht e justifikueshme.

“Jam i tronditur në fakt. Nuk e dija për grevën dhe zbulova vetëm tani që nuk do të mund të udhëtoj dot”, thotë një pasagjer.

Gjithashtu, operatori hekurudhor, Deutsche Bahn, njoftoi të enjten se trenat e distancave të largëta nuk do të jenë funksionalë të hënën, e po ashtu shumë trena të tjerë. Pasagjerëve u është bërë thirrje të shtyjnë udhëtimet e planifikuara për të hënën ditën pasardhëse, edhe pse kaosi mund të vijojë në disa segmente edhe të martën.

Greva të punonjësve të sektorit publik ka pasur vazhdimisht, por ajo e së hënës është më e madhja në dekada. Dy sindikatat e përfshira janë mes më të mëdhave në Gjermani; Verdi e cila përfaqëson 2.5 milionë punonjës në transportin publik dhe aeroporte, dhe EVG që përfaqëson rreth 230 mijë pjesëtarë të Deutsche Bahn – operatori hekurudhor kombëtar dhe kompani të autobusëve. Sindikatat e cilësojnë grevën si çështje mbijetese për fatin e mijëra qytetarëve, mes inflacionit në rritje. Gjatë së dielës, mijëra qytetarë protestuan në Berlin për të kërkuar rritje të pagave.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë