Gjatë fjalimit të tij në sheshin e qytetit të Prishtinës me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe përfundimit të luftës, Matthew Palmer, Zëvendës Sekretar i SHBA-ve, thekson se një ndër sfidat kryesore të shtetit të Kosovës është krijimi i stabilitetit energjetik, transmeton Gazeta Metro,
Kjo edhe njëherë rikonfirmoi përkushtimin e SHBA-ve për stabilitet energjetik në Kosovë, në periudhën kur shumica e vendeve në rajon po ndërtojnë termocentrale të reja nga qymyri.
‘Liderët duhet të synojnë zhvillimin ekonomik dhe të kenë cak sfidat, duke krijuar një stabilitet energjetik dhe një klimë ku ndërmarrësit e rinj mund të lulëzojnë’, tha Palmer gjatë fjalimit të tij në sheshin e kryeqytetit të Kosovës.
Ndryshe, Palmer ishte deklaruar edhe më herët në lidhje me termocentralin. Ai, kohë më parë kishte thënë se termocentrali ka përkrahje të fortë nga SHBA-të. ‘Absolutisht, ne jemi të përkushtuar për realizimin e projektit’, kishte deklaruar ai pas pyetjes nëse SHBA-të mbështesin Kosovën e Re.
Palmer kishte deklaruar se projekti i Kosovës së Re do të sigurojë energji më se të nevojshme dhe pandërprerë për Kosovën si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis. Palmer u shpreh i lumtur që një kompani Amerikane po drejton projektin e Kosovës së Re.
Investitori Amerikan në termocentralin e ri, ContourGlobal, dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kanë deklaruar se termocentrali i ri pritet të ndërtohet me përkrahje të SHBA-ve, pas deklarimit të Bankës Botërore për mos-përkrahje të projektit.
Projekte të termocentraleve po vazhdojnë ndërtimin në Serbi dhe Bosne me përkrahje të Kinës dhe Rusisë.
Mediat në Kinë raportojnë se përmes këtyre aktiviteteve Kina me përkrahje të Rusisë, po tenton të shtrijë ndikimin politik edhe në Ballkan, përmes investimit në projekte të mëdha, si ato të ndërtimit të termocentraleve në Serbi dhe Bosne, të paralajmëruara nga qeveritë e këtyre dy vendeve.
Njëzet vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe vendi ende nuk ka arritur të ndërtojë termocentral të ri për të siguruar stabilitet të furnizimit me energji elektrike, ani pse rradhitet i treti në Evropë për nga rezervat e thëngjillit.
Në Kosovë, furnizimi i energjisë elektrike varet nga termocentrale të vjetra dhe të pasigurta, si rrjedhojë, vendi kishte importuar mbi gjysmë miliard euro energji elektrike gjatë dekadës së fundit. Shumica e kësaj energjie është importuar nga Serbia.
‘Serbia po ndërton termocentrale vetëm për të furnizuar Kosovën me rrymë’, kishte thënë pak kohë më parë Kryeministri Haradinaj gjatë interpelancës parlamentare në lidhje me Kosovën e Re./gazetametro.net