Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti për të Mitur sot është mbajtur fjala përfundimtare e palëve, në rastin e Aulon Zekës.
Avokati i palës së dëmtuar, Skender Musa i ka thënë Klan Kosovës se ka kërkuar dënim maksimal sa i përket këtij rasti.
Sipas tij, dënimin maksimal e parasheh edhe Kodi Penal për të Mitur, duke shtuar se edhe të pandehurit nuk kanë kërkuar falje dhe as nuk kanë shprehur keqardhje derisa kanë pranuar që e kanë kryer këtë vepër penale.
Pala tjetër e kanë kundërshtuar kërkesën e palës së dëmtuar, njofton Klan Kosova.
16 vjeçari Aulon Zeka është gjetur i vdekur mëngjesin e 16 shtatorit rreth orës 11:00, në rrugën “Gjon Sereqi” në Prishtinë. I ndjeri ishte qëlluar me katër plumba në trup.
Një ditë më vonë, Policia e Kosovës pati arrestuar dy të mitur si të dyshuar për vrasjen e të miturit.
Gjykata Themelore e Prishtinës kishte dhënë vendimin e saj për të dyshuarit e rastit të vrasjes së Aluon Zekës.
Sipas vendimit, i mituri i parë ishte dënuar më 9 vjet e 6 muaj burg, e mitura e dytë me 3 vjet ndërsa ndaj të tretit ishte shqiptuar masa e mbikëqyrjes nga organet e kujdestarisë për 1 vjet e gjashtë muaj.
Tre të dyshuarit u shpallën fajtorë nga gjykata, ndërsa i mituri i parë ishte dënuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes, e mitura e dytë ishte dënuar për ndihmë në fshehjen e veprës penale dhe i mituri i tretë për moslajmërim të veprës penale.
Por pala mbrojtëse e viktimës e kishte apeluar këtë vendim. Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.