Loading…

Pagesa e tatimit në pronë tani edhe në mënyrë elektronike

  • 17/01/2017 | 14:54

Pagesa e tatimit në pronë tani edhe në mënyrë elektronike

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, u takua me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson ku së bashku edhe demonstruan përdorimin e sistemit elektronik E-FATURA, përmes së cilit qytetarët tani mund të kryejnë pagesat e tatimit në pronë, si dhe kategorizimin e tokës së tyre.

Hoti tha se për realizimin e këtij projekti është marrë mbështetje prej pesë milionë eurosh nga Qeveria e Suedisë, andaj edhe e cilësoi si një nga projektet më të rëndësishme të kësaj ministrie. Ai, shtoi se përmes bashkëpunimit me Qeverinë suedeze janë arritur disa objektiva përmes të cilave po krijohen komuna të forta.

“Përmes këtij projekti ne kemi marrë një mbështetje rreth pesë milionë euro nga Qeveria Suedeze përmes Sidës, ndërkaq si ministri e financave kemi kontribuar me 350 mijë euro, është ndër projektet më të rëndësishme që ka ministria e financave dhe jemi shumë mirënjohës për këtë mbështetje për shkak se përmes këtij projekti po krijohen komuna të forta, po ndihmohet shumë në rritjen e inkasimit të tatimit në pronë. Disa objektiva që janë arritur gjatë këtyre viteve që kemi punuar së bashku me Sidën suedeze të cilat unë dëshiroj t’i përmend, objektivi dhe rezultati i parë është ligji i tatimit në pronë i cili është diskutuar gjerësisht me komunat dhe me palët e tjera të interesit, tani kemi draftin e plotë të këtij ligji unë besoj që në fund të janarit ose në fillim të shkurtit do ta dorëzojmë në qeveri për aprovim”, tha Hoti, raporton KP.

Sipas Hotit, janë futur më shumë se dy milionë parcela në sistemin e tatimit në pronë, janë afër 500 mijë fatura që janë shtypur në të gjitha komunat dhe janë shpërndarë tek qytetarët, si dhe përmes këtij sistemi është arritur edhe kategorizimi i tokave, andaj edhe janë krijuar 1600 zona të vlerësimit në të gjitha komunat.

Ministri i Financave, shtoi se nesër do të nënshkruhet një memorandum në Tiranë përmes së cilit do të bartet përvoja e arritur në Prishtinë.

“Përmes këtij projekti janë më shumë se dy milion parcela që janë futur në sistemin e tatimit në pronë me qëllim të përgatitjes së tatimit në tokë sepse po planifikojmë me këtë ligj të lëvizim në atë drejtim. Përmes këtij sistemi janë afër 500 mijë fatura që tanimë janë shtypur në të gjitha komunat dhe janë shpërndarë tek qytetarët. Përmes këtij sistemi një rezultat i jashtëzakonshëm që është arritur është vlerësimi në masë i tokës përmes kategorizimit të tokës në toka bujqësore, në toka pyjore, në toka rezidenciale pra për banim, në toka komerciale edhe në toka industriale, janë krijuar rreth 1600 zona të vlerësimit në të gjitha komunat. Më lejoni që të bëj të ditur edhe një memorandum që ne presim nesër ta nënshkruajmë në Tiranë mes ministrisë së financave të Kosovës dhe të Shqipërisë për të bartur krejt këtë përvojë që ne kemi akumuluar në Prishtinë përmes Sidas suedeze tek qeveria e Shqipërisë”, tha Hoti.

Ndërsa, ambasadori i Suedisë Henrik Nilsson, tha se ky është një ndër projektet më të rëndësishme mes Suedisë dhe Kosovës. Ai tregoi që bashkëpunimi mes dy shteteve do të vazhdoj deri në vitin 2020, si dhe e cilësoi si bashkëpunim mes të cilit do të forcohen lidhjet mes Kosovës dhe Suedisë.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe jam i lumtur të dëgjoj për rezultatet e arritura deri tani. Qeveria jonë, qeveria suedeze ka një marrëveshje me qeverinë e Kosovës për bashkëpunim nga viti 2014 deri në vitin 2020 dhe këtë projekt e shohim si njërin ndër projektet më të rëndësishme që kemi në Kosovë, është shumë e qëndrueshme, është për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët në Kosovë dhe të forcojmë lidhjet tona ky është qëllimi i kësaj pune dhe ka shumë rezultate të mira që vijnë me këtë punë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë bashkëpunimin me Kosovën në vitet në vijim”, tha Nilsson.

Përmes këtij projekti është zhvilluar sistemi i IT-së ku tani qytetarët mund t’i qasen online tatimit të tyre në pronë për të shtypur faturën direkt nga faqja e departamentit të tatimit në pronë, si dhe për të paguar gjithashtu këtë faturë të tatimit në pronë përmes llogarisë bankare që është vënë aty.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë