Loading…

Pagat e Mustafës e të deputetëve do të rriten – Thaçit do t’i ulet

  • 19/02/2017 | 13:11

Pagat e Mustafës e të deputetëve do të rriten – Thaçit do t’i ulet

Me Projektligjin për pagat, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, përveç nivelizimit të pagave në sektorin publik, do të ketë zvogëlim të pagës për presidentin e Kosovës, për drejtorin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për kryetarë të komunave dhe për anëtarë të bordeve të ndryshme. Ndërsa, rritje të pagave dhe mëditjeve do të ketë për Kryeministrin, ministrat dhe deputetët


Ndryshimin në paga për rreth 25 për qind, e ka konfirmuar ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, në një intervistë për KosovaPress.

Paga e presidentit, Hashim Thaçi, nga 2 mijë e 800 euro, sa është aktualisht, me këtë projektligj do ketë zbritje.

Po ashtu, edhe drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari, me këtë projektligj nuk do të arrijë ta marrë më pagën në vlerë prej 4 mijë e 300 euro, ngase do të ketë ulje shumë të madhe, veçanërisht te agjencitë e pavarura që financohen nga buxheti i shtetit.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa, i cili merr pagë aktualisht rreth 1 mijë e 400 euro, pritet që kjo të rritet mbi 2 mijë euro.

Megjithatë, ky projektligj për pagat, sipas ministrit Yagcilar nuk vlen edhe për ndërmarrjet publike, ose për tri top pagat më të larta në Kosovë, ajo e drejtorit të Trustit, Adrian Zalli, rreth 6 mijë euro në muaj, paga e drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, që merr pagë 5 mijë e 182 euro në muaj, si dhe paga e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, i cili merr 4 mijë e 328 euro në muaj, ose 52 mijë euro në vit.

Ministri, i cili është hartues i këtij projektligji, thekson se është propozuar një ligj i cili do të krijonte një rregull, një disiplinë, por edhe një balancë sa i përket pagesave në sektorin publik. Saktësisht për përfituesit nga buxheti i Kosovës, që janë afro 80 mijë, duke filluar prej pozitës më të lartë në protokollin e shtetit, nga pozita e Presidentit, deri në pozitat të cilat shtrihen në nivele më të ulëta.

“Paga bazë do të jetë paga e presidentit, të cilin ne propozojmë që të jetë me një koeficient 11, ndërsa paga më e ulët do të jetë me një koeficient me numër 1. Por ne kemi bërë disa kalkulime, për me nxjerrë një kosto. Mendojmë se do të jetë një zvogëlim i lehtë te paga e Presidentit, diku do të ketë rritje, ajo varet se si do të krijohet nivelizimi. Sepse ne duhet ta përcaktojmë edhe një parashikim për me nxjerrë koston, në këtë aspekt, ndoshta do të jetë sipas parashikimeve një zvogëlim i lehtë për të krijuar një rend”, tha ministri Yagcilar.

Ai pret që ky projektligj të miratohet në Kuvend, ngase, sipas tij, është një rregullim, sepse sipas Yagcilar, nuk është qëllimi as të zvogëlohen e as të dëmtohen zyrtarët të cilët përfitojnë nga buxheti, qofshin shërbyes civil, arsimtarë, mjekë, policë, këshilltarë politik dhe udhëheqës të institucioneve publike.

Sipas tij, ky projektligj është një standard, i cili ekziston në shtetet tjera dhe është model i marrë nga Sllovenia. Mirëpo, Yagcilar, nuk ka treguar për koston e këtij projektligji për pagat.

“Po sigurisht, është ligj i cili do të miratohet në Kuvend… Ky ligj edhe pas aprovimit, pas gjashtë muajve mund të ketë plotësim të akteve nënligjore, sa i përket zbatimit të ligjit. Sepse duhet të rregullohen të gjitha çështjet dhe të mos krijohen gabimet e panevojshme dhe të jetë një ligj, i cili do të jetë i zbatueshëm”, tha ai.

Mirëpo, sipas ministrit Yagcilar, Ligji për pagat e ndërmarrjeve publike duhet të jetë i harmonizuar edhe në bazë të Ligjit të ri për pagat e administratës publike, për të mos pasur dallime kaq të mëdha në paga.

“Ndërmarrjet publike rregullohen sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, por në ligj parashihet që të bëhet një krahasim me këtë ligj që edhe ndërmarrjet publike të marrin shembullin e Ligjit për pagat, sa i përket përcaktimit të pagave…. Por, si pagë bazë kërkohet të bazohet në këtë ligj dhe të përcaktohen kriteret sa i përket pagës bazë. Kështu që ndërmarrjet publike, sidomos te administrata, mos të krijojnë sisteme të ndryshme, i cili është në disbalanc me pagat nga buxheti i Kosovës. Ndërsa, sa i përket bordeve, në ato borde të cilat përcaktohen nga qeveria ose nga Kuvendi, sepse janë borde të ndryshme, do të tentohet të krijohet një rend”, shtoi Yagcilar.

Për sa i përket rritjes së numrit të të punësuarve dhe politizimi i administratës publike, ministri Mahir Yagcilar thotë se Komisioni Evropian kërkon që Kosova të krijojë një administratë publike efikase, jo të politizuar, i cili është me përgatitje të duhur me një llogaridhënie dhe më transparente.

Se sa është administrata e politizuar, Yagcilar nuk e pati të lehtë të pohojë ose mohojë një gjë të tillë.

“Këto çështje përmendet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, por kjo nuk është e lehtë të thuhet po ose jo. Ne duhet të krijojmë mekanizma që mos të ndodhë politizimi. Deri tash është vlerësuar Ligji i shërbimit civil, si një ligj shumë i mirë, por nga ana tjetër ka pasur edhe kritika që po krijohet politizimi”, theksoi Yagcilar.

Ai ka shtuar se është shumë me rëndësi zbatimi reformave në administratën publike, sepse janë edhe pjesë e agjendës evropiane si parime nga KE-ja, dhe theksoi se Kosova duhet ta bëjë një organizim sa më të mirë të administratës publike, duke e qartësuar statusin e shërbyesit civil, jo vetëm nëpër institucione qendrore, por edhe ato lokale. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë