Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare INTERPOL.
Pacolli, ishte njeriu i cili gjatë ditës së djeshme dhe sot gjatë mëngjesit anëtarësimin në këtë organizatë e shihte si punë të kryer dhe si një tjetër sukses që do ta shënonte shteti i Kosovës, njofton gazetametro.net.
Madje ai këtë e shihte si punë të madhe në të cilën është angazhuar ai dhe mekanizmat tjerë të Qeverisë së Kosovës.
Por, këto konkludime të tij dhe deklarata në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, atij sot i dolën huq, kjo pasi Kosova nuk arriti që të hyjë në organizatën ndërkombëtare.
Në lidhje me këtë dështim ka folur Pacolli, duke e lënë fajin të “keqes”, që sipas tij fitues nuk është Kosova e as Serbia.
Tutje ai ka shtuar se për gjatë një viti ka qenë i angazhuar dhe është bërë një punë ë mrekullueshme për këtë ditë.
“Sot nuk ka fitues, nuk ka fituar as Kosova, as Serbia. Por mund të them që i vetmi fitues sot është e keqja. Më vjen shumë keq kur punën tonë që e kemi bërë, kur qe një vit jemi të angazhuar, është bërë një punë e mrekullueshme, sot nuk u shpërblye edhe pse Kosova mori më së shumti vota. Por si e pamë të gjithë është vështirë në këto kushte të sigurohen 2/3 e votave”, deklaroi Pacolli nga Dubai./gazetametro.net