Loading…

Pacolli: Do ta përmirësoj standardin jetësor të qytetarëve

  • 04/04/2017 | 20:30

Pacolli: Do ta përmirësoj standardin jetësor të qytetarëve

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka mbajtur sot një ligjërate për studentët e Kolegjit Universum në Prishtine. Ai para tyre ka folur për zhvillimin ekonomik, politikat zhvillimore, ndërmarrësinë e suksesshme dhe për mënyrat se si mund të aplikohen ato.


Duke i mishëruar temat e kësaj ligjërate me përvojën dhe veprimtarinë e tij të suksesshme në fushëm e biznesit, Pacolli ka treguar për mënyrat e arritjes së suksesit në biznes, duke shpjeguar në detaje kultivimin e kreativitetit në punë si dhe përkushtimit ndaj punës, me qëllim të arritjs së suksesit.

Ai para studentëve të Kolegjit Universum ka folur edhe për situatën aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe për mënyrat se si mund t’i hapet rruga rritjes ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.

Pacolli ka thënë se programi ekonomik i AKR-së parasheh zgjidhje për bllokadat ekonomike që e rëndojnë Kosovën, duke shtuar se ky program do të implementohet në përpikmëri.

“Ne jemi në favor të rritjes së standardit jetësor të qytetarit, kjo është primare për ne dhe këtë do ta bëjmë. Është mënyra e vetme drejt ngritjes së vetëdijes qytetare”, ka thënë i pari i AKR-së, duke shtuar se që nga fillimi i qeverisjes, do të ketë rritje të buxhetit dhe rrjedhimisht eliminimin të varfërisë.

Pacolli ka shpjeguar më tej para studentëve se, programi i AKR-së parasheh intensifikimin e iniciativave që investimet kapitale të mbizotërojnë, duke synuar kështu rritje ekonomike qysh në fillim të mandatit.

Lideri i AKR-së ka thënë se qytetarët duhet të mendojnë mirë dhe të mos i zgjedhin më në krye të vendit njerëzit të cilët e kanë dëshmuar disa herë që nuk i mbajnë premtimet.Presidenti Pacolli gjatë fjalimit të tij, ka adresuar një serë kritikash ndaj institucioneve qeverisëse, duke i akuzuar ato për rëndim të gjendjes sociale dhe rritje të varfërisë së skajshme në vend.

“Është premtuar rritje ekonomike 8 për qind, janë premtuar edhe fondet për punësim, por këto nuk kanë ndodhur. Realiteti është se ne sot kemi fonde multi milionëshe të dëmtuara, ndërsa jemi në deficit me krijimin e vendeve të punës”, ka thënë Pacolli, duke e vlerësuar situatën aktuale ekonomike dhe sociale si kaotike.

“Varfëria e skajshme është në rritje, ajo nuk po luftohet, ndërsa njerëzit të cilët udhëheqin me institucionet e vendit nuk duket se janë të gatshëm për ndryshime”, ka thënë ndër të tjera lideri i AKR-së.

Pas përfundimit të ligjëratës, Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli e vazhdoi debatin në Kolegjin Universum, duke u përgjigjur kështu në pyetjet e shumta të parashtruara nga të studentët.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë