Pas takimit të zhvilluar në zyrën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me liderët politikë të thirrur në tryezë për të diskutuar në lidhje me situatën që ka shkaktuar pandemia Covid-19, kryeparlamentarja Vjosa Osmani është deklaruar rreth asaj se çfarë është diskutuar në këtë takim, shkruan Gazeta Metro.
Madje ajo është shprehur rreth qëndrimit të saj lidhur me një mijë testet e dhuruara nga Serbia për Kosovën, duke mbështetur vendimin e Qeverisë për pranimin e këtyre testeve.
Osmani thotë se Kosova nuk ka mundësi që të prodhojë teste për koronavirusin dhe has në vështirësi, pasi që edhe shtetet më të mëdha mund të kenë probleme me furnizimin e tyre, andaj sipas saj çështjet e tilla nuk duhet të politizohen.
“Nuk do të dua të flas për këto çështje puro politike, ne kemi kërkuar informata nga Ministri i Shëndetësisë për testet, ai na ka treguar në detaje lidhur me vështirësitë që i kanë hasur, përderisa ka shtete të tjera që prodhojnë teste të tilla, Kosova nuk e ka këtë mundësi dhe ka marrë ndihma me teste nga vende të ndryshme si Luksemburgu dhe Katari. Për mua është e rëndësishme që mos të politizohet shëndeti i popullit tonë. Unë jam inkurajuar nga minsitri i Shëndetësisë për kërkimin e 13 mijë testeve. Edhe shtetet më të zhvilluara kanë problem me furnizimin me teste dhe respiratorë dhe ndihma të tilla duhet të mirëpriten”, ka thënë Osmani.
Kujtojmë se në takimin e thirrur sot nga kryeministri Kurti, nuk kanë marrë pjesë shumë liderë politikë të cilët veçse e kishin bërë të ditur më parë se do t’i përgjigjen negativisht kësaj ftese. /gazetametro.net