Në prag të seancës sensibilizuese të Kuvendit të Kosovës e cila do t’i kushtohet ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryeparlamentjara Vjosa Osmani ka takuar anëtarët e Komisionit për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Anëtarët e këtij komisioni e kanë përgëzuar Osmanin për mbajtjen e seancës sensibilizuese për këtë kategori, derisa e kanë njoftuar me punën e deritashme dhe me sfidat me të cilat përballen.
Ata kanë folur po ashtu për ndjeshmërinë dhe vështirësitë e procesit, të shkaktuara nga mungesa e buxhetit të këtij komisioni, sikurse edhe stigma ndaj të të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Procesi i aplikimit, sipas komisionit ka shënuar rënie, prandaj është kërkuar mbështetje institucionale për sensibilizim për rëndësinë që ka ky proces për shtetin e Kosovës.