Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj në seancën e veçantë që është mbajtur sot në nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka thënë se është e dhimbshme që edhe pas dy dekadave pas luftës së fundit në Kosovë, po mbahen ende të heshtura tregimet e dhunës, transmeton Gazeta Metro.
Osmani tutje tha se zëri i Vasfije Krasniqit, e cila sot iu drejtua deputetëve të Kuvendit, është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi.
Kryekuvendarja Osmani tutje shtoi se beteja e Krasniqit nuk ka qenë asnjëherë individuale, derisa ka bërë thirrje që të ngritin zërin kundër paragjykimeve.
“Ne e vlerësojmë lart faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë për dhunim gjatë luftës. Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës tregimet e dhunës po mbahen të heshtura. Duke u solidarizuar me këto të mbijetuara ne i kujtojmë të gjitha viktimat e luftës së fundit dhe kërkojmë drejtësi për ta. Rrëfimi i sotshëm në institucionin më të lartë, dëshmon për rëndësinë e zërit të grave. Zëri i Vasfije Krasniqit është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi. Duke e ndarë historinë e saj, ajo do të na ndihmojë që të zgjojmë zërin e ndërgjegjes brenda nesh. Beteja e Vasfijës asnjëherë nuk ka qenë betejë individuale e saj. Ne duhet ta ngrisim zërin kundër paragjykimeve të tilla. Vasfija, Shyhretja e të mbijetuarat janë nderi jonë”, ka thënë Osmani. /gazetametro.net