Misioni i OSBE-së në Kosovë kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’ia bëjë të mundur monitorimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Drenas, që mbahen këtë të diel, më 4 dhjetor.
“Ne besojmë se prania e OSBE-së do të ishte në të mirë të zgjedhjeve pasi do ta rriste integritetin e procesit. Kosova ka kapacitet të plotë për t’i mbajtur zgjedhjet e lira dhe të drejta dhe prania e monitoruesve do të ishte vetëm vlerë e shtuar”, tha OSBE në një deklaratë të lëshuar sot.
“Për këto arsye, OSBE ka kërkuar nga KQZ autorizim për ta bërë monitorimin e këtij operacioni. KQZ është autoriteti i vetëm zgjedhor në Kosovë dhe ne mund të angazhohemi vetëm pasi ta marrim autorizimin nga KQZ. OSBE dëshiron të përmend edhe një herë bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm me KQZ-në gjatë viteve”, shtoi OSBE.
Kërkesa e OSBE-së për monitorim erdhi pas një letre të cilën ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ia dërgoi KQZ-së në emër të shteteve të Quint-it në të cilën kërkonte që t’i bëhet e mundur OSBE-së të jetë e pranishme në këtë proces.
Gjatë ditës, KQZ tha se e ka zgjatur afatin për akredititimin e vëzhguesve deri më 3 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve. /gazetametro.net