Shefat e grupeve parlamentare të boshtit opozitar, Glauk Konjufca nga VV, Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Valdete Bajrami nga NISMA mbajtën konferencë për media në lidhje me vazhdimin e bisedimeve në Bruksel.
Glauk Konjufca nga VV-ja, tha se shumë premtime që kanë bërë Qeveria kanë dalë mashtrime.
“Në rrafshin e njohjeve jo që Serbia nuk na njeh por edhe bën fushatë në vendet tjera për mos njohjen e Kosovës. Çfarë integrimi i Kosovës është ky kur kryetarë komunash dalin e flasin për murin që e kanë ndërtuar vetë. Qeveria e sheh dialogun me Serbinë si monopol ndërsa bisedimet me këtë shtet janë nacionale. Rezoluta e ka obliguar qeverinë që të raportoj çdo herë ne Kuvend për bisedimet me Serbinë”, tha Konjufca.
Ai shtoi se kanë dëgjuar prej mediave që është e mundur që presidenti dhe kryeministri i vendit të shkojnë në Bruksel.
Pal Lekaj nga AAK, i quan kryeservila Thaçin e Mustafën pasi sipas tij këta të dytë duhet ta dinë se vendi e ka një Kuvend.
“A e dinë Mustafa e Thaci se Kosova ka një Kuvend. Keta kryeservila shkojnë e bisedojnë me pasardhësit e Millosheviqit në kohën kur Serbia ka shtuar provokimet ndaj Kosovës. Ata nuk besoj që sot shkojnë për të diskutuar për ndalejne e Haradinaj. A do të biesedojnë për murin dhe kompromise të tjera apo për pastrimin e listave të interpolit apo për të pagjeturit? Serbia ka përfituar me dinakëri nga bisedimet dhe është afër BE kurse Kosova ka mbetur e izoluar”, tha Lekaj.
Ai kërkoi që bisedimet të ndalohen dhe të riformatohen.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të NISMA-s, Valdete Bajrami tha se shkuarja e Thaçit dhe Mustafës në bisedime është nënshtrim.
“Shkuarja e Mustafës dhe e Thaçit për bisedime është nënshtrim”. Opozita është zëri i popullit dhe duhet të jemi unitet për ta. Ky dialog duhet të ndërpritet për deri sa ky dialog nuk i ka sjellë të mira vendit. I bëjmë thirrje deputetëve që të nënshkruajn”, tha Bajrami./Gazetametro.net