Partitë opozitare qe dhjetë muaj nuk po arrijnë t’i sigurojnë votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Për të kaluar mocioni opozitarëve u nevojiten edhe katër vota të deputetëve të koalicionit qeverisës.
Vetëm tre muaj pasi kryeministri Ramush Haradinaj kishte marrë detyrën si shef i Qeverisë së Kosovës, në dhjetor të vitit të shkuar, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishin nisur ta përmendnin ngritjen e mocionit për rrëzimin e ekzekutivit.
Ndonëse tashmë kanë kaluar 10 muaj që nga atëherë, partia më e madhe opozitare nuk ka bërë ende asnjë hap konkret që do të çonte drejt rrëzimit të Qeverisë, rrjedhimisht çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan gazeta “Zëri”
Megjithatë, zyrtarë të këtij subjekti po vazhdojnë të zotohen se shumë shpejt do t’i japin fund Qeverisë aktuale.
Në anën tjetër, edhe pjesa tjetër e opozitës tashmë është deklaruar në mbështetje të një mocioni të mundshëm për rrëzimin e Qeverisë, porse problem në këtë drejtim po vazhdojnë të mbesin numrat.