Siç është zakon, presidenti u adresohet çdo fundvit deputetëve të Kuvendit. Mirëpo, këtë gjë, presidenti Hashim Thaçi, nuk do të mund ta bëjë për të gjithë deputetët e kësaj legjislature, pasi opozita është deklaruar se do ta bojkotojë këtë fjalim, shkruan Gazeta Metro.
Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.
Të parët që kanë konfirmuar bojkotin, kanë qenë AAK-ja e Ramush Haradinajt.
“Ne si AAK nuk do të marrim pjesë në seancë”, ka thënë Teuta Haxhiu, deputete nga radhët e AAK-së.
Gjithashtu, edhe shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka bërë të ditur se bojkot ndaj Thaçit do të bëjnë edhe partia e saj. “Jo, nuk do të marrim pjesë në seancë”, ka thënë ajo.
E, të fundit që kanë konfirmuar bojkotin ndaj Thaçit, kanë qenë partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.
Shkodran Hoti, zëdhënës i VV-së, ka konfirmuar bojkotin ndaj Thaçit, duke u kompletuar bojkotimin e gjithë opozitës ndaj presidentit të vendit.
Ndryshe, nesër presidenti Thaçi do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në ora 11:00./gazetametro.net