Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në dukje po i shmanget të shqyrtojë rastin e kryetarit të arrestuar Agim Ademi duke zvarritur një vendim nga ta edhe sipas statutit të ri të miratuar me shumë zhurmë me 27 janar të këtij viti, shkruan Gazeta Metro.
KE mbajti të hënën mbledhjen tjetër urgjente nën drejtimin e nënkryetarit Bakir Burri, kjo pasi u arrestua javën e kaluar kryetari Agim Ademi.
Siç u tha në një njoftim të tyre KE i FFK ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që këtë çështje, përveç në organet e hetuesisë, konform statutit dhe akteve normative t’i adresojë edhe në Komisionin Disiplinor dhe të Etikës të FFK’së.
Sipas komunikatës në mënyrë që çdo parregullsi apo shkelje potenciale, që mund të ketë ndodhur, të trajtohet me kujdesin dhe seriozitetin më të madh si dhe kërkon që ky komision të marrë verdiktin bazuar në aktet e saj normative.
Megjithatë, kjo në dukje edhe nuk është aq kompetencë e Komisionit Disiplinor dhe të Etikës të FFK’së, të paktën sipas nenit 63 pika 5.
Në këtë nen ku tregohen kompetencat që ka Komisioni, në pikën 5 thuhet: ”Këto dispozita nuk prekin kompetencat e Kuvendit dhe të Komitetit Ekzekutiv lidhur me pezullimin dhe përjashtimin e Anëtarëve.”
Vendimin për pezullimin e pozitës së Ademit mund ta merr vetë Komiteti Ekzekutiv.
Kujtojmë se këtë më herët ia kishte kërkuar edhe Komisioni për licencim i federatave sportive për shkak se ishte në proces gjyqësor lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje dhe binte ndesh me ligjet e Kosovës, statutin e FFK’së dhe me kodin etik të FIFA’s.
Pjesë e Komitetit Ekzekutiv është edhe kryetari Agim Ademi, i cili po tani dyshohet për dy vepra penale që lidhen me punën në FFK ‘Keqpërdorimi i besimit’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.
Të parit të shtëpisë së futbollit kosovar nga Gjykata Themelore në Prishtinë i është caktuar masa e arrestit shtëpiak për 30 ditë pas kërkesës së Prokurorisë. /gazetametro.net
Draft-Statuti i FFK’së, Salihu: Ky është mashtrimi më i madh, delegatët po konsiderohen ‘budallenj’