Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për liturgjinë që u mbajt sot në Kishën Ortodokse serbe në kampusin e UP’së, shkruan Gazeta Metro.
Bulliqi ishte i vetmi i cili reagoi sot rreth liturgjisë që u mbajt në Kishën ortodokse serbe, që ndodhet në Prishtinë.
Ai lavdëroi Qeverinë e cila drejtohet nga lideri i partisë ku Bulliqi bën pjesë.
“Të bëhet diçka e tillë në një kishë e cila nuk i plotëson kushtet për t’i kryer këto liturgji, kjo vetvetiu mund të tregojë se cila është qëllimi e krejt kësaj që ka ndodh. Kjo çështje mund të ngritë debate të ndryshme.
Dihet qëndrimi i VV-së për këtë çështje. Në situate të tilla nuk ka nevojë të provokohet ndonjë incident i mundshëm. Në fund të fundit vet mënyra se si o duket që po e shoh se çka ka ndodh, e ka atë qëllim të provokimit të situatës”, tha Bulliqi.
Ai shtoi se sjellja e institucioneve me gjakftohtësi është për t’u respektuar, pasi sipas Bulliqit nuk ka nevojë për provokim në situate të tilla.
“Kjo gjakftohtësi dhe kjo sjellje e institucioneve tona mendoj që meriton të ketë një respekt, sepse nuk ka nevojë që në situata të tilla të provokohen”.
Kjo liturgji sot nxiti reagime të mëdha, në lidhje me mosreagimin nga Qeveria Kurti e as presidentja Osmani.
Të dytë deri tani kanë qëndruar në heshtje dhe nuk kanë dalur me asnjë reagim, edhe pse është kërkuar reagimi i tyre./gazetametro.net