Dalibor Jevtiq, ministri për Kthim dhe Komunitete, gjatë prerjes së shiritit përurues të çerdhes “Maja” në Bajë, fshat i banuar me serbë, ka thënë se nuk do të heqin dorë nga qëndrimi në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.
“Nuk do të heqim dorë nga mbetja dhe qëndrimi në Kosovë”, ka thënë ai.
Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka përuruar objektin e ri parashkollor “Maja” në Bajë të Skenderajt, një fshati i banuar 98 për qind me serbë, të premten. Jevtiq ka thënë se duke investuar në çerdhe fëmijësh, investohet në të ardhmen.
“Pas një viti që kemi premtuar, sot kemi arritur ta bëjnë realitet premtimin që këtu ta hapim vërtet një objekt të bukur, i cili para së gjithash plotëson të gjitha ato nevoja që fëmijët normalisht të qëndrojnë në të, të edukohen dhe të rriten sikurse edukohen dhe rriten edhe bashkëmoshatarët e tyre në vendet e tjera. Në këtë mënyrë kemi dërguar mesazhin që nuk do të tërhiqemi për të qëndruar dhe për të mbetur në këto hapësira”, ka thënë Jevtiq.