(I plotësuar)
Policia e Kosovës ka hequr makinën e braktisur nga afërsia e Hotelit “Grand” në kryeqytet pas më shumë se pesë orësh qëndrimi aty.
Policia minuta më parë njoftoi se në veturën e dyshimtë nuk kishte gjetur asgjë dhe se ishte në pritje të pronarit që të vinte nga Graçanica për ta marrë automobilin, ndërsa tani e ka larguar atë vetë duke i liruar edhe dy rrugët kryesore në afërsi.
Në fund të ngjarjes është parë edhe prania e karabinierëve italianë.
Pas raportimit për një veturë të braktisur tek Hotel Grandi, policia kishte dalur në vendin e ngjarjes. Madje, ata kishin hetuar për ndonjë mjet të dyshuar shpërthyes.
Por, siç njoftoi Policia, aty nuk është gjetur ndonjë mjet, megjithëse kanë thënë se do ta kryejnë edhe hetime të mëtutjeshme.
“Policia ka hetuar, nuk ka ndonjë mjet shpërthyes. Do të bëhet prapë hetim”, ka thënë nënkoloneli i Policisë, Rexhep Sijarina, i cili ishte në vendin e ngjarjes.
Sipas policisë, vozitësi është identifikuar. Siç thonë ata, personi që ka qenë vozitës ka shkuar në Gracanicë për një rit fetar, ndërkohë që tani është duke ardhur në Prishtinë.
Policia e Kosovës pas kontrollit me qenë në taksinë e braktisur me tabela të Beogradit, ka rritur masën e sigurisë.
Tani rruga “Garibaldi” është e bllokuar e tëra.
Sipas gazetarit te gazetametro.net që gjendet në vendin e ngjarjes, rruga është bllokuar që nga “Grandi” e deri tek semaforët në fundin e rrugës.
Policia po kontrollon për bombë në taksinë me targa të Beogradit.
Kështu shihet në xhirimet direkte që sjell gazetametro.net. Aty shihet Policia e Kosovës duke kontrolluar me qenë.
Klikoni KËTU për të parë live ngjarjen.
Një taksi me targa të Beogradit, është gjetur i braktisur në rrugën “Garibaldi” afër Hotel Grandit.
Këtë për gazetametro.net e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Rreth orës 16:00 një veturë me targa të Beogradit është gjetur e braktisur. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë.
Ndërkohë, Policia nuk ka dhënë më shumë detaje, duke shtuar se janë duke hetuar rastin./gazetametro.net