Përkthimi dhe botimi ishin afër përfundimit kur në vitin 1998 krisi lufta në Kosovë, Peja për shumë muaj mbeti e izoluar nga Prishtina, dhe në fillim të vitit 1999 u dashtë të intervenojë NATO. Kur filluan bombardimet familja Beqiraj u dëbua nga Peja për në Mal të ZI, armata serbe iu dha 5 minuta t’i marrin plaçkat elementare.
Shkëlzen Maliqi
Agush Beqiri, Arkitektura popullore: enterieri dhe eksterieri; botues – Anibar, Pejë 2025
Pasthënia e librit
Me librin e Agush Beqirit “Arkitektura popullore shqiptare” kam lidhje dhe histori të gjatë katërdhjetëvjeçare. Në vitin 1985, me ndërmjetësimin e akademik Ali Hadrit, mikut të Agushit, kam kontribuar në redaktimin gjuhësor të verzionit të parë të këtij studimi me rreth 80 faqe, të shkruar në gjuhën serbo-kroate. Agushi e kishte bërë si shkrim hyrës, kualifikues për pranimin e tezës së doktoraturës në Fakultetin e Arkitekturës të Sarajevës. Edhe në fazat e mëvonshme të hartimit të tezës, Agushi mi dërgonte kapitujt shtesë për korrigjime të gjuhës dhe sugjerimet stilistike, zakonisht të pakta, sepse autori e zotëronte mjaft mirë serbokroatishten, për më shumë shkruante me një stil të qartë, konciz, me përshkrime dhe analiza të sakta, esenciale. Me kënaqësi bashkëpunoja dhe mësoja nga Agushi për temën me interes të madhë, e cila në formatin e tillë përfshirëse nuk ishte e studiuar dhe hartuar më parë.
Agushi e kishte pasion hulumtimin e krijimtarisë popullore dhe të ndërtimeve tradicionale shqiptare. Kolekciononte artefaktet artizanale, vizitonte kullat dhe shtëpitë të bukura në Pejë, në Rafshin e Dukagjinit dhe vendet tjera edhe para përcaktimit të temës të doktoratës. Nga vitet e 70-ta vizitoi vendbanimet shqiptare në rajon, fotografoi shumë shtëpi banimi dhe kulla në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Greqi. Kolekcioni i tij numëronte rreth 3 mijë fotografi dhe slajde. Temës së doktoratës i pati hyrë me njohuri të bollshme mbi ngjashmëritë dhe dallimet mes zonave ose periodizimeve historike, por për të hartuar tezën i duhej t’i zgjëronte hulumtimet duke konsultuar edhe literaturën mbi arkitekturën, historinë dhe etnografinë e popujve të rajonit dhe më gjërë.
Nga fundi i viteve 80-ta Agushi praktikisht e përfundoi me hartimin e tezës, mirëpo disa rrethana e pamundësuan që ta mbrojë atë. Mentori kryesor i tij vdes në kohën kur donte ta dërgonte tezën komisionit në Sarajevë. Kjo e demotivoi, sa edhe gjendja e rënduar në Kosovë dhe Jugosllavi që shkaktuan luftëra, federata jugosllave u shkatërua, Serbia instaloi regjimin e apartheidit dhe segregacionit në Kosovë… Në ato rrethana Agushi u largua nga Prishtina, e lë punën në Fakultetin e arteve dhe hapi një studion projektuese private në Pejë, nuk i duhej më titulli i doktorit.

Por librin nuk e la anash, e kishte për zemër temën dhe punën e kryer. Në vjeshtë të vitit 1997, kur në Galerinë Dodona të Prishtinës u organizua ekspozita e projekteve arkitektonike të Agushit, u rihap biseda për botimin e librit. Pasi që nuk ishte më aktuale mbrojtja e tezës, Agushi vendosi që libri të përkthehet, të sheh dritën së pari në gjuhën shqipe. Më kërkoi që unë të kujdesem rreth përkthimit dhe shtypit, sepse ai ishte shumë i nxënë me projektime. Edhe unë isha i nxënë me punët e mia, isha redaktor i librave te Dukagjini, botaja revistën “Thema”, më vonë edhe revistën “MM”, nuk e shihja këtë si obligim të madh, sepse përkthimin ia delegova Fadil Bajrajt dhe Agushi u zotua se me bashkëpunëtorët në studion e tij do ti bëjë gati materialet ilustruese.
Përkthimi dhe botimi ishin afër përfundimit kur në vitin 1998 krisi lufta në Kosovë, Peja për shumë muaj mbeti e izoluar nga Prishtina, dhe në fillim të vitit 1999 u dashtë të intervenojë NATO. Kur filluan bombardimet familja Beqiraj u dëbua nga Peja për në Mal të ZI, armata serbe iu dha 5 minuta t’i marrin plaçkat elementare. Kur u kthye pas kater muajve, familja e Agushit e gjeti shtëpinë dhe studion jo vetëm e plaçkitur e në rëmujë, por edhe me dëmtime në puntorinë e Agushit. Gati e tërë Peja ishte e shkatëlruar nga flakat të djegjeve sistematike, por te shtëpiai e Agushit dëmët ishin specifike. Pasi që shtëpia ishte plaçkitu, hajnat i kishin shkulur edhe instalimet hidraulike, studio e Agushit ishte vërshuar nga uji, çka dëmtoi shumicën e arkivës në studio. Në shaka, kur Agushin e pyesnin për dëmet “a është kallur edhe shtëpia e juaj” ai përgjigjej, “Jo, është lagur!”

Megjithatë, për fat, ndër gjërat që shpëtuan, u gjetën pjesët e dorëshkrimit dhe të dokumentacionit për libër dhe u futën në disa kuti të mëdha plastike.
Në vitin 2004 kur Agushi e punonte projekt-propozimin për memorialin e familjes Jashari në Prekaz, unë pata kontribuuar në hartimin e tekstit të arsyetimit ideor të projektit (për këtë projekt Agushi fitoi çmimin e dytë, ndonëse meritone të shpallet fitues!), e hapëm sërish bisedën për botimin e librit. Atëbotë Agushi e rishikoi dhe konstatoi më detajish gjendjen e lëndës të shpëtuar. U gjet maketa komplete e librit me ilustrimet në gjuhën serbo-kroate, dhe kopjet e verzionit final të tekstit, që ndhmojë rikonstruimin. Vetëm përkthimit në gjuhën shqipe i mungonin rreth 20 faqe. Te ilustrimet dëmi ishte më i madh, u gjetën vetëm një pjesë e vogël e fotografive dhe dy kuti me rreth 100 slajde të shtëpive dhe kullave.
Agushi u zotua se do ti përkushtohet librit, që të plotësohet dhe përgaditet për shtyp. Në vitin 2005 u sistemua pjesa më të madhe e dorëshkrimit, po ashtu edhe ilustrimet, por Agushi u sëmurë dhe vdiq në vitin 2006, nuk arriti ta bëjë rikonstruktimin e plotë të librit. E la amanet që unë të kujdesem për botimin, e djali i tij Sokoli, të ma përkujtonte.
Kaluan më shumë se dhjetë vite që Sokoli dhe unë, çdo herë që takoheshim, bisedonim për publikimin, por unë isha i nxënë me projekte të ndryshme, Sokoli kishte konsiderata, dhe çdo herë e lënim për më vonë. Vetëm kur kuptuam se koha po rrjedhë shpejtë, para pesë vitesh vendosëm se nuk ka më arsyetime, librin duhej publikuar.

Për përkthimin, që i mungonin 20 faqe, e kërkuam komplet fajlin te përkthyesi Fadil Bajraj, por ai nuk e kishte më, kishte mbetur në një kompjuter të dëmtuar, të shtypur nuk e kishte, kështu që e përkthyem sërish. Ndërkaq, fola me Florina Jerliun, ajo u tregua shumë entuziaste për botimin, angazhoi një grup studentësh të Fakultetit të arkitekturës që punuan zellshëm që arkiva në kutitë plastike të rishikohet me kujdes, të sistemohet sipas maketës të ruajtur të autorit, Florina i bëri redakturat profesionale të të gjithë kapitujve, duke rikonfirmuar saktësinë e çdo citati dhe çdo burimi që citoheshin ë librin, i kërkuam dhe i gjetëm edhe disa libra, dokumente dhe fotografi shtesë që Agushi i kishte lënë te të afërmit, familjarët e Agushit. Fëmijët e tij Sokoli, Kastrioti dhe Floriana na ndihmuan që t’i siguronim materialet dhe krejt këto insistime e zgjatën procesin, por ishin te nevojshme që botimi të jetë sa më cilësor.
Së fundit, për formësimin e librit kontribuojë edhe dizajnerja, Jetë Dobranja.

Tani që një punë e madhe u krye me sukses, vepra jetësore e Agush Beqirit u bë gati për shtyp në tërësi, konstatoj se vonesa nuk e ka dëmtuar aspak vlerën e projektit. Sigurisht se kishte qenë me dobi të madhe për arkitektët dhe studiuesit e traditës shqiptare nëse do të botohej më herët, sidomos për së gjalli të Agushit, sepse ka qenë e gatshme si monografi në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar. Por ja që, edhe pas 40 vitesh, kjo vepër mbetet vepër kapitale që nuk e ka shoqin në llojin e vetë si studim pionier sintetik i arkitekturës popullore shqiptare. Agush Beqiri gjithsesi do të mbetet emër i spikatur ndër krijuesit e artit modern të Kosovës dhe ndër shqiptarët, por tani e tutje do të zë vend meritor edhe si lëvrues i traditës të arkitekturës shqiptare.
Për mua, kjo vepër kapitale e Agush Beqirit mbetet projekt me të cilin krenohem dhe ndihem i lumtur që kam marrë pjesë në realizimin e tij.
(Dhjetor 2024)
Shënim: Sapo ka dal nga shtypi studimi kapital i Agush Beqirit (1932-2006), arkitekt, enterierist dhe artist pamor i spikatur i brezit modernist. Studimi është përfunduar para 40 vitesh dhe pas shumë peripetish, që kuptohen në këtë pasthënie të librit, u përgadit për botim nën përkujdesjen e arkitektes Florina Jerliu dhe timën, si redaktorë, dizajnuar nga Jeta Dobranja.
