Edi Rama përveç si politikan njihet edhe si njeri shumë kreativ, gjë e cila vërehet shpesh gjatë eventeve të ndryshme apo takimeve të tij me politikanë në zyrat e kryeministrisë.
Kryeministri i Shqipërisë është edhe piktor. Pikturat e tij janë prezantuar përgjatë viteve në Gjermani, Hong Kong, Brazil, Francë e vende të tjera.
Vitin e kaluar ai e ka mbajtur një tjetër ekspozitë në Stamboll me anë të së cilës është munduar të sjellë artin dhe kulturën shqiptare në Turqi.
“Fotoalbumi i ekspozitës së çelur në Stamboll, e cila ishte përsëri rasti i mirë për të folur për Shqipërinë e të bukurës, të artit dhe kulturës me një publik të veçantë që ka pak ose aspak ndjeshmëri e kuriozitet për politikën”, ka thënë ai nëpërmjet një statusi në rrjetin facebook, me rastin e hapjes së ekspozitës atje.
Ai do të mbajë një tjetër ekspozitë për artdashësit amerikanë në New York, ku do të ekspozohen skulptura qeramike të cilat ngjasojnë si personifikim i paletave të mëhershme, për të cilat ka bashkëpunuar me artistin shqiptar, Anri Sala.
Paletat janë pjesë e “Dammi i Colori”, punë e vitit 2003. Nga kjo punë pak a shumë kryeministri edhe ka nisur të transformojë fasadat e shtëpive të Tiranës në vende me më shumë ngjyrime, shkruan KultPlus.
Këto skulptura që do të paraqiten janë mishërime tredimensionale të vizatimeve të tij autoriale. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun amerikan deri me 23 dhjetor të këtij viti.