Loading…

Një koalicion që dështoi dhe një listë pa unitet

  • Nga

  • 10/09/2019 | 11:44

Një koalicion që dështoi dhe një listë pa unitet

Vetëvendosja u mashtrua duke shpresuar se telepatia e mëhershme politike që kishte krijuar gradualisht me Vjosa Osmanin, sidomos gjatë kundërshtimit që bashkë i bënin demarkacionit me Malin e Zi (më heret edhe zgjedhjes së Thaçit President) mund të ishte uverturë e mirë për një tango parazgjedhore ndërmjet Albinit dhe Vjosës. Kjo tango mes tyre mund të luhet vetëm në opozitë.


Faton Abdullahu

Tri partitë më të mëdha politike në fazën parazgjedhore zgjodhën të shkojnë të vetme në zgjedhja pa bërë koalicione. Në këtë drejtim PDK la përshtypje se është më konfidente në këtë garë sepse nuk bëri përpjekje që të bëj koalicione parazgjedhore me forca të ndryshme politike në Kosovë. Në anën tjetër LDK dhe VV negociuan gjatë dhe ngjallën shpresa te një pjesë e votuesve të tyre se do të bashkohen për të qenë forca kryesore politike. Më pas sollën pakënaqësi tek ata që kishin pritshmëri për këtë koalicion i cili në të vërtetë nuk dukej fortë i natyrshëm. Pakënaqësia për mos realizimin e këtij koalicioni mori edhe dimensionin e zhgënjimit sidomos kur u kuptua se ajo nuk u realizua në pamundësi për tu marr vesh për postin e kryeministrit. Së paku kështu u justifikua ky dështim. Drejtpërsëdrejti nga kjo përpjekje, pa ndërmarr asgjë nxori përfitime PDK-ja.

Kush e njeh mirë LDK-n, e ky nuk ishte Albin Kurti dhe VV-ja, nuk do të besonte në asnjë variant se LDK do të pranonte koalicion parazgjedhor me VV-n. Por VV ishte në hall dhe e vetëdijshme se mosrealizimi i koalicionit të saj me LDK-n pothuajse pashmangshëm e lë atë në opozitë. Prandaj VV u mashtrua duke shpresuar se telepatia e dikurshme politike që kishte krijuar gradualisht me Vjosa Osmanin, sidomos gjatë kundërshtimit që bashkë i bënin pranimit të demarkacionit me Malin e Zi (më herët edhe zgjedhjes së Thaçit President) mund të ishte uverturë e mirë për një tango parazgjedhore ndërmjet Albinit dhe Vjosës. VV nuk e kuptoj se Vjosa është e fundit ajo që e merr vendimin për këtë koalicion. Kryetari, nënkryetarët dhe shumë anëtarë të Kryesisë së LDK-së e bëjnë këtë shumë më parë sesa ajo. Në të vërtetë kandidatja e LDK-së për Kryeministre do ta pranonte edhe z. Kurti për  Kryeministër, por këtë në asnjë variant nuk do ta pranonin dhe nuk e pranuan ata që realisht e udhëheqin LDK-n.

Krejt kjo nuk është krejt. Arsyeja tjetër dhe shumë e rëndësishmja pse LDK nuk e pranoj koalicionin me VV është raporti me partnerët ndërkombëtar, sidomos ai që do të riformësohet shpejtë pas zgjedhjeve. LDK e njeh mirë Albinin, sidomos Isa Mustafa. E vetëdijshme se Albin Kurti pashmangshëm do të bëhej pengesë në dialogun me Serbinë, LDK nuk e pranoi koalicionin me VV-n. LDK mund të pranoj një lloj koalicioni me VV-n vetëm nëse pas zgjedhjeve mbetet në opozitë. Përderisa e aspiron pushtetin LDK nuk bën koalicion me VV. Kaq e thjeshtë është. Por Albini nuk e kuptoj këtë asnjëherë, sepse nuk e njeh LDK-n as Isa Mustafën apo thënë ndryshe nuk e ka idenë si perceptohet ai dhe VV nga ata. Ky perceptim jo i drejtë ju mjegullua edhe më shumë nga pozita jo e favorshme në të cilën gjendet VV tash një kohë, determinuar sidomos nga përçarja e brendshme.

Lista pa VIP-a

Për dallim prej herëve tjera në këto zgjedhje pati larg më shumë aderime në parti politike të sportistëve, artistëve dhe VIP-ve nga show bizi.  Pos tjerash kjo ndodhi sepse partitë politike kësaj radhe patën shumë më shumë vende në lista, sesa herëve të kaluar, kur kishin bërë koalicione me ç ‘rast ishin të shtrënguara të largonin jo pak pretendent nga lista, për të lëshuar vend kandidatëve të partive përkatëse me të cilat bënin koalicion. Bartësit e listave, konkretisht ata që vendosnin për aderime, me këto aderime donin t’i jepnin sharmë dhe shtimung subjekteve të veta politike. Kurse aderuesit, pos reklamës e cila gjithmonë ju duhet në profesionet e tyre, shpresojnë se edhe kështu mund të sigurojnë në të ardhmen e afërt ndonjë ndihmë a përkrahje edhe financiare. Në këtë drejtim u dallua LDK e cila edhe pse në listë pati 110 vende nuk preferoj aderime të kësaj natyre. Për më shumë Kryetar i saj Isa Mustafa këtë e shpjegoj duke konstatuar se ‘Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake‘. Por në të vërtetë nuk ishte krejt kështu. LDK ka marr qëndrim që me ofertën për të qenë pjesë e listave të pajtoj sa më shumë rryma e klane të reja e të vjetra si dhe ato që shkaktuan përçarje me përdorimin e karrigeve. Kjo përpjekje jo e zakonshme për ti pajtuar të gjithë në LDK e jo pamundësia për të gjetur sportistë e artistë që do të aderonin në LDK, nuk la vend në listën e kësaj partie për sportistë, artistët e VIP-a të ndryshëm. Është çështje tjetër se kjo përpjekje gjithëpërfshirëse për pajtim do të ndikoj drejtpërsëdrejti në mungesën e unitetit të ofertës të LDK-së në këto zgjedhje. Ky pajtim jo që nuk do të determinoj unitet, por më së keqi do të shpërfaqet kur Vjosa Osmani bënë përpjekje që ta shpalos para votuesve atë që ka e që nuk e shpreh as forcën as mendësinë kryesore të kësaj partie.

(Autori Faton Abdulahu analist i njohur. Kjo kolumne është e shkruar enkas për Metro)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë