Festivali i filmit frankofon “Atmospheres” po i bjen disa nga filmat ma të shikum frankofon të viteve të fundit – nga lufta e De Gaullit në shkretina afrikane deri te drama burokratike në Bruksel.
Nga dashnitë e para deri te prapaskenat e pushtetit, Atmosphères sjell në Prishtinë një javë kinemaje që na çon larg me kamerë, por edhe na kthen shpesh kah vetja.
Ka diçka të mirë te vjeshta: dita errësohet herët dhe arsyet për me shku në kinema shtohen. E prej 4 deri më 10 nëntor, Prishtina ka një arsye ma shumë. Atmosphères, Festivali i Filmit Frankofon në Kosovë, vjen me edicionin e 26-të dhe shtatë filma që rrugëtojnë prej luftës, historisë e politikës te dashnia, humori dhe mbijetesa. Një javë për me e lonë telefonin pak në çantë, me e marrë dikond për krahu dhe me ia falë ekranit të madh pak vëmendje të pandërprerë.
E qujmë shpesh “java e filmit francez”, por realisht programi na çon në një hapësinë ma të gjanë: atë të kinemasë frankofone dhe bashkëprodhimeve që lidhin vende, gjuhë e përvoja të ndryshme. Nuk duhet të jesh njohës i kinemasë franceze për me gjetë diçka për vete. Mjafton kureshtja.
Festivali hapet më 4 nëntor, në orën 19:00, në CineStar, Prishtina Mall, me La Bataille de Gaulle – L’Âge de fer, të Antonin Baudry (Kjo shfaqje osht veç me ftesa) Simon Abkarian interpreton Charles de Gaullein në një rrëfim për luftën, rezistencën dhe kambënguljen përballë një disfate që duket e pashmangshme. Për publikun kosovar, pytjet rreth lirisë, aleatëve dhe çmimit të qëndresës mujn me pasë një jehonë afër zemrës, kur i shohim do rrethana historike të ngjashme.
Më 5 nëntor, në orën 19:00, programi zhvendoset në Kino Armata me Une affaire de principe, të Antoine Raimbault. Në qendër osht eurodeputeti José Bové, i interpretum nga Bouli Lanners, dhe një hetim që na fut në korridoret e institucioneve europiane, mes interesave të industrisë së duhanit dhe betejave për transparencë. Télérama veçon aftësinë e filmit për m’i bo të kuptushëm mekanizmat institucionalë, tu e rujtë atmosferën e një thrilleri. Në Kosovë, ku “Brukseli” osht pjesë e fjalorit tonë të përditshëm, ky osht një rast interesant me këqyr kryeqytetin europian nga afër si hapësinë njerëzish, interesash dhe vendimesh.
Mbramjen tjetër, 6 nëntor, në orën 19:00, Les Indes, i Pauline Julier dhe Nicolas Chapoulier, na çon në një Europë të shekullit XVII, të trazume nga luftnat. Një princ i ri spanjoll dhe dy ushtarë francezë transportojnë drejt oborrit të Luigjit XIV portretin e një princeshe: një imazh që bart peshën e një aleance politike. Filmi pati premierën në seksionin Giornate degli Autori në Venedik, ndërsa Cineuropa e veçon bukurinë e fotografisë së tij. Filmi na përkujton se imazhet kishin pushtet simbolik shumë para rrjeteve sociale.
Për të shtunën, 7 nëntor, në orën 19:00, këqyreni Falcon Lake. Filmi i parë i gjatë i Charlotte Le Bon ndjek përafrimin mes Bastienit dhe Chloé gjatë pushimeve pranë një liqeni në Québec. Ka pak prekje, tërheqje, dëshirë për m’u dokë ma i rritun dhe një atmosferë nostaqligjike që e përshkon verën. Sight and Sound e vlerëson për interpretimet e natyrshme dhe mënyrën e ndjeshme, herë qesharake e herë shqetësuese, me të cilën trajton dashurinë e parë. Ky osht filmi për shoqen që i don tregimet e rritjes, për romantikët pak melankolikë dhe për kondo që hala e mban mend një verë që iu duk se zgjati sa një jetë.
Të dielën, 8 nëntor, në orën 19:00, vjen radha me keshë me De la Comédie-Française, të Martin Darondeau dhe Bertrand Usclat. Një shfaqje e Macbethit po afrohet, ndërsa prapa skenës grumbullohen telashet, egot dhe urgjencat e aktorëve. Cineuropa e përshkrun si një komedi plot ritëm, me interpretime të shkëlqyshme dhe dashni për njerëzit e teatrit. Kushdo që ka organizu një shfaqje, koncert apo festival në Kosovë mundet me kujtu atë ankthin para hapjes së dyrve: publiku pret magjinë, ndërsa dikush mrapa skenës ha po përpjeket me shpëtu gjithçka.
Më 9 nëntor, kujdes orarin: shfaqja është në 14:00. La Sirène, animacioni i Sepideh Farsi, ndjek Omidin 14-vjeçar në qytetin iranian Abadan, gjatë luftës Iran–Irak. Ai kërkon mënyra për m’i shpëtu njerëzit që i don. Le Monde e lexon filmin si një vepër që, përmes një historie të veçantë, flet për përvojën ma të gjanë të luftës. Për shumë njerëz në Kosovë, fëmijënia e ndërpreme dhe solidariteti në ditët e rrezikut mujn m’u kanë pika të takimit emocional me këtë rrëfim.
Festivali mbyllet më 10 nëntor, në orën 19:00, në Kino Armata, me La Bataille de Gaulle – J’écris ton nom, vazhdimin e dytë të projektit të Baudry që shfaqet ditën e parë.
Zgjidheni nëj film që ju doket najs dhe një tjetër që s’kishit me zgjedhë zakonisht. Leni pak kohë edhe për muhabet mas shfaqjes. Nëjherë pjesa ma e bukur e një festivali fillon bash kur ndizen dritat.