Loading…

Njazi Thaçi tregon lidhjen me presidentin

  • 03/11/2018 | 09:07

Njazi Thaçi tregon lidhjen me presidentin

Drejtori i ri i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, i cili erdhi në krye të kësaj kompanie një javë më parë, është i bindur që institucioni që udhëheqë do të sjellë përfitime për buxhetin e vendit. Thaçi është pjesë e kësaj kompanie që nga viti 2007.


Thaçi, kushëri i presidentit Hashim Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online, ka folur për herë të parë në lidhje me raportimet për ndikimin e kreut të shtetit në emërimin e tij.

Drejtori i KEK-ut thotë se përzgjedhja e tij në këtë pozitë është bërë në bazë të meritave e jo ndikimeve “nga jashtë”.

Prejardhjen thotë se e ka nga fisi “Thaç”, fis të njëjtë sipas tij, ka edhe shefi aktual i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

“Përzgjidhja ime në këtë pozitë është në bazë të meritës time dhe jo në bazë të fjalëve apo ndikimeve nga jashtë. Pa dashtë me i ik kësaj pyetjeje, unë jam qytetar i Republikës së Kosovës dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës i trajton gjithë qytetarët barabartë. Nuk është e vërtetë krejt ashtu siç thonë mediat, fis Thaç ka shumë në Kosovë tashmë me thënë të drejtën dhe Ramushi mos gabofsha është e fisit Thaç”.

Thaçi thotë se pozitën e mori për shkak të shkollimit dhe punës së bërë në kompani që nga viti 2007, madje për çdo dyshim thotë se mund të pyetet edhe Ambasada Britanike, e cila ka marrë pjesë në përzgjedhjen e tij, por edhe anëtarë të shoqërisë civile.

“Kosova është një vend i vogël, ku të gjithë njihen ose munden me u njoftu me njëri-tjetrin. Dhe unë si qytetar i Republikës së Kosovës dhe si çdo qytetar tjetër edhe Kushtetuta më trajton barabartë si çdo qytetar. Për informimin tuaj, unë jam inxhinier i diplomuar i Elektros, kam mbaruar fakultetin në Universitetin e Tiranës para lufte dhe jam pjesë e KEK-ut që nga viti 2007”.

“Jam drejtor operativ, apo teknik, që nga viti 2011. A ka qenë transparente apo jo intervista apo konkursi ju sugjeroj që nuk është pyetje për mua, mund t’i pyesni vëzhguesit që kanë qenë të atij procesi, Ambasada Britanike dhe shoqëria civile”.

“Unë e kam bërë një prezantim para bordit në konkursin që ka qenë. Kam prezantuar disa objektiva të mia për 5 vitet e ardhshme; krahas saj kam paraparë rritjen e të hyrave. Siç e dini, Kosova është vendi i tretë në Evropë për rezervat e thëngjillit, ndërsa vendi i pestë në botë… Unë do të bëj maksimumin e mundshëm që t’i shfrytëzojmë ato rezerva. Pra të hyrat e KEK-ut mendoj me i rrit, krahas prodhimit të energjisë elektrike që e kemi punë primare”.

Thaçi thotë se KEK-u është ndërmarrja publike më fitimprurëse në Kosovë dhe aktualisht ka mbi 20 milionë euro fitim dhe 4 800 punëtore, raporton EO.

“Mendoj me rrit edhe me shitjen e thëngjillit, d.m.th me eksport në tregun e jashtëm. Pos kësaj e kam edhe një opsion tjetër që është për herë të parë në KEK që tokat, që ne u themi toka të degraduara në të cilat nxjerrët thëngjilli, t’i kthejmë në parqe solare, d.m.th në ato toka të prodhojmë energji solare, pasi që kushtet teknike, natyrore janë më të favorshme mund të them lirisht në Kosovë”.

Por, shqetësuese për të është mosha mesatare e të punësuarve në kompani e që është 55 vjet. Kjo thotë ai mund te ketë ndikim edhe në performancën apo gjendjen financiare të kompanisë.

“Për KEK-un si sfidë e madhe për të ardhmen është mosha mesatare e punëtorëve. E dimë që  kemi një numër të punëtorëve të vjetër, mosha mesatare mundem me thënë në KEK është 55 vjet; një numër i madh i tyre do të dalin në pension. Ne jemi duke bërë të gjitha analizat që t’i përtërijmë aty ku është e nevojshme, por asnjëherë duke bërë mbipunësim apo duke rrezikuar performancën apo gjendjen financiare të kompanisë”.

Sfidë sipas Thaçit, janë edhe shpronësimet në Hade dhe Shipitullë, por thotë se është përfunduar pjesa që ka qenë më problematike.

Drejtori i ri premton furnizim të rregullt me rrymë gjatë sezonit të dimrit.

“Ne deri tani kemi bërë shpronësimin e asaj pjesës që ka qenë problematike prej 52 hektarësh dhe janë kryer gjitha proceduat pa kurrfarë vonesash. Aktualisht jemi në fazën e shpronësimit edhe të një pjese tjetër, 120 hektarë, e cila neve na jep mundësinë të punojmë konform licencës që kemi në miniera”.

Kurse, sa i përket ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, i konsideruar si projekti më i madh nga pas lufta, Thaçi thotë se KEK-u do të kryejë të gjitha obligimet që ka në bazë të marrëveshjes, porse nuk e komenton më tepër projektin.

“Unë mendoj se çdo investim në sektorin e energjisë është i mirëpritur dhe është në të mirën e Kosovës. Nuk është shumë në kompetencën time të flas për termocentralin ‘Kosova e Re’. Ne e kemi një obligim ndaj termocentralit ‘Kosova e Re’ sepse e kemi një marrëveshje për furnizim me thëngjill. Unë mund të ju garantoj se KEK-u, sikurse deri më tani, dhe në të ardhmen, do t’i kryejë të gjitha obligimet kontraktuale që dalin nga ajo marrëveshje”.

Thaçi erdhi në këtë pozitë erdhi pas dorëheqjes së Arben Gjukajt. Fillimisht, KEK-u kishte shpallur konkurs për drejtor menaxhues më 5 prill. Konkursi ishte rishpallur më 1 qershor dhe për herë të tretë konkursi është hapur më 9 gusht. Pas procedurave të zakonshme, Njazi Thaçi mori pozitën e drejtorit në fund të muajit tetor.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë