Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Hasani ka treguar disa nga arsyet pse duhet të mbështet mocioni i mosbesimit i iniciuar nga Nisma për Kosovën, duke thënë se qeverisja e koalicionit PDK-LDK Kosovës nuk i ka sjell asnjë ditë të mirë.
Hasani ka thënë në një postim të tijin në Facebook se kjo qeveri është treguar e pa zonja në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Prej fillimit të qeverisjes së koalicionit PDK-LDK, Kosova nuk e ka pasur asnjë ditë të mirë. Ky koalicion po e qon çdo ditë e më shumë vendin dhe institucionet e saj drejt shkatërrimit. Qeveri e pa zonja për të zgjidhur problemet dhe hallet e qytetarëve të vendit. Tash e sa vjet tema kryesore në Kuvend, Qeveri e gjithkund janë demarkacioni me Malin e Zi, asociacioni i komunave me shumicë serbe e tema të tjera që e kanë bllokuar funksionimin e vendit”, ka thënë Hasani.
Ai ka përmendur edhe ngecjen në ekonomin duke thënë se zhvillimi ekonomik i vendit ka mbetur vetëm në gojën e politikanëve dhe në librat e ekonomisë.
Ndërsa ka theksuar se qeveria e ashtuquajtur e elefantëve ka dështuar të jetësoj ëndrrën më të madhe të kosovarëve, atë të krijimit të Ushtrisë së Kosovës, e së fundmi nuk po arrin të sigurojë kuorum as për mbajtjen e seancave plenare, shkruan Gazeta Monitor.
“Kjo qeveri dështoi ta jetësojë ëndrrën e të gjithë qytetarëve, krijimin e Ushtrisë së Kosovës. I ashtuquajturi koalicion i elefantëve me pothuajse 90 vota nuk po arrin as të sigurojë kuorumin për mbajtjen e seancave. Madje shpesh i duhet që kuorumin t’ua bëjë opozita. Një koalicion që nuk arrin t’i mbledh në një seancë as deputetët e vet, nuk i duhet askujt”, ka thënë Hasani.
Sipas tij këto paraqesin arsye të mjaftueshme që kjo qeveri të lëshoj rrugë e të i mundësoj vendit të shkoj në zgjedhje të parakohshme, pasi kësisoj siç ka thënë Hasani do të çlirohet vendi nga zaptuesit.