Mbledhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që ishte paraparë të niste në orën 14:00, ka nisur vetëm pak minuta më herët. Ajo po drejtohet nga kryetari i partisë, Isa Mustafa.
Dje LDK’ja përmes një komunikate nuk bëri të ditur për temat e kësaj mbledhje, mirëpo u kuptua se temë e mbledhjes do të jetë edhe dialogu me Serbinë dhe qëndrimi rreth marrëveshjes finale, shkruan gazetametro.net.
Metro më herët raportoi se LDK’ja e ka kthyer në diskutim çështjen e dialogut pak ditë pasi në shtëpinë e Isa Mustafës erdhi për takim zëvendësndihmës sekretari i Departamentit të Shtetit amerikan, Matthew Palmer.
Ndërkohë, në Kryesinë e kësaj partie është edhe Lutfi Haziri, i cili me ngulm po kërkon që marrëveshja finale të bëhet siç thotë presidenti Hashim Thaçi, për të bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën.
Mirëpo, muaj më parë LDK mbajti qëndrim të betonizuar kundër marrëveshjes finale sipas Thaçit, që ky i fundit e quante ‘korrigjim kufiri’, mirëpo e ka kthyer në tryezë të diskutimit edhe sot.
Sidoqoftë, mediat kanë raportuar se zyrtari i lartë amerikan kishte qenë i ashpër me krerët e partive politike dhe përfaqësuesit e tyre, duke u bërë me dije që nevojitet një konsensus imediat rreh dialogut me Serbinë në këtë fazë përfundimtare./gazetametro.net