Loading…

Nikaj për ndeshjen e barazhit ndaj Lirisë: Pres fitoren, jemi përgatitur për çdo skenar

  • 19/05/2022 | 19:52

Nikaj për ndeshjen e barazhit ndaj Lirisë: Pres fitoren, jemi përgatitur për çdo skenar

Tradicionalisht në Kosovë ndeshjet e barazhit lirisht mund të themi se kanë qenë sfidat ndoshta më interesante gjatë gjithë sezonit. Një e tillë na pret të shtunën mes Lirisë dhe Vushtrrisë, ku trajneri i kësaj të fundit, Samuel Nikaj për Gazeta Metro ka folur se çfarë pret nga kjo ndeshje, përgatitjen e ekipit, cilën skuadër të Superligës e dëshiron në fazën tjetër (në rast të kalimit tutje) dhe për tifozërinë ‘Forca’, transmeton Gazeta Metro.


Në stadiumin ’18 qershori’ në Klinë të shtunën do të zhvillohet dueli ndërmjet dy skuadrave të cilat përfunduan të dytat në Ligën e Parë në grupet A dhe B, derisa tani do të kërkojnë inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar.

Për Metron trajneri i Vushtrrisë, Samuel Nikaj fillimisht u shpreh se i kanë mundësitë për fitore pasi që nuk mungon edhe eksperienca e lojtarëve në ekipin e tij, ku shumica janë futbollistë të cilët kishin fituar titullin kampion në vitin 2014.

”Normalisht pres fitoren pasi i kemi mundësitë, kemi lojtarë me përvojë që kanë luajtur në ndeshje të mëdha dhe për objektiva madhor, mos të harrojmë se 50% e skuadrës aktuale është shpallur kampion në 2014 dhe kanë kontribuar disa herë në inkuadrimin e Vushtrrisë në Superligë,” tha Nikaj.

Në kësi lloj ndeshje duhet edhe përgatitja maksimale dhe qetësia e futbollistëve sepse janë ndeshje, ku një gabim i vogël në fund mund të vendos edhe epilogun final të rezultatit. Për këtë ai tha se janë përgatitur për çdo lloj skenari të mundshëm që mundet të ndodh.

”Kemi pasur gjithë kohën e nevojshme në dispozicion pasi që herët e kemi mbyllur çështjen e vendit të dytë jemi përgatitur për çdo lloj skenari të mundshëm që mund të sjellë një ndeshje futbolli,” deklaroi Nikaj.

Çështje shumë interesante do të jetë edhe cila skuadër nga Superliga e Kosovës do të mbetet në barazh, ku po luftojnë katër skuadra si Dukagjini, Drenica, Malisheva dhe Prishtina për t’i ikur barazhit. Por në pyetjen se kë e dëshiron më shumë në rast nëse mposhtin Lirinë Nikaj tha Prishtinën sepse do të përballeshin dy ekipe me rivalitet shumë të fortë në vitet e fundit dhe sipas tij do të ishte një skenar hollivudian.

”Më herët në një emision sportiv kur më është bërë kjo pyetje kam thënë Prishtinën pasi në mendjen time thashë vetëm Prishtina nuk na bjen, por siç e ka një shprehje mos i ik pazarit të parë po them Prishtina pasi do ta shijonim ndeshjen më me atmosferë në vitet e fundit, ku dy ekipe 100 vjeçare me rivalitet të fortë ndër vite si në fushë ashtu edhe në shkallët e stadiumit, mendoj se do të ishte një skenar hollivudian,” theksoi Nikaj për Metron.

Tifozët e Vushtrrisë ‘Forca’ janë përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje pasi që kanë paralajmëruar një udhëtim të jashtëzakonshëm në Klinë të shtunën. Megjithatë, duhet të jenë gjithashtu edhe krenar që kanë në krye të skuadrës një trajner si Samuel Nikaj i cili për Metron tha se ata janë ‘baballarët’ e tribunave në të gjithë trojet shqiptare, ndërsa kujton edhe sakrificat që kanë bërë së bashku me lojtarët për ta rikthyer buzëqeshjen përsëri tek ata.

”Tifozëria Forca janë baballarët e tribunave në të gjithë trojet shqiptare, ata e dinë që ne e duam klubin me zemër pasi jemi kthyer për të kontribuar për Ligën e Dytë. Pra kem vënë ekipin para karrierës tonë personale mos të harrojmë kapiteni Osmani la Dukagjinin në Superligë për të luajtur në Ligën e Dytë prandaj edhe këtë ndeshje do të japim gjithçka që të mos zhgënjejmë tifozërinë tonë dhe drejtuesit duke filluar nga kryesia drejtori dhe sekretari të cilët kanë qenë shumë korrekt duke plotësuar të gjitha kushtet,” përfundoi Nikaj.

Vushtrria këtë sezon në Ligën e Parë përfundoi në pozitën e dytë me 46 pikë dhe synon rikthimin në elitën e futbollit kosovar pas dy sezonesh, kur për herë të fundit në edicionin 2019/20 kishte përfunduar në vendin e 11’të me 21 pikë dhe kishte rënë në Ligën e Parë. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë