Ikballe Berisha-Huduti, kërkoi hakmarrja ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Solejmani, duke kryer me këtë rast vepër penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”, shkruan Gazeta Metro.
Për këtë thirrje, Berisha-Huduti tani do ballafaqohet seriozisht me autoritet e drejtësisë, ku sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për shkak të veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 të KPRK-së.
Në njoftim thuhet se e pandehura I.H., më 04.01.2020, përmes rrjetit social “Facebook” në llogarinë në emër të saj, me paramendim dhe me dashje ka postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane të Qassem Solejmani, gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi, në atë mënyrë që ka postuar tekstin si në vijim:
“Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre Gjeneral Sulejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dhashtë durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi”, dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.//gazetametro.net