Vrasja e mbrëmshme në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën, ku të vdekur mbetën kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj, shkruan Gazeta Metro.
E lidhur me këtë rast Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë të Pejës, Shkodran Nikçi ka dhënë detaje.
“Të mërkurën mbrëma si pasojë e të shtënave me armë dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore dhe prokurorja e Departamentit të krimeve të rënda. Sot gjatë ditës kryeprokurori, prokurorja dhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë intensive po zhvillohen hetimet që të zbulohen rrethanat dhe motivet”, u shpreh Nikçi në një konferencë për media.
Nikçi bëri të ditur se janë sekuestruar dy armë, ndërkaq dy trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Në disa pista janë duke u zhvilluar hetimet dhe pasi hetimet të përfundojnë do të dalim me njoftim zyrtar. Derisa të vazhdojnë hetimet duhet të jemi të rezervuar pasi është rast i ndjeshëm dhe mund të dëmtohen hetimet./gazetametro.net