Ende në Kosovë nuk janë shpallur zgjedhjet lokale për komunat, por kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka filluar që të bëjë fushatë me premtimet e vitit 2017, shkruan Gazeta Metro.
Megjithatë, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ai si duket do të jetë kryetari aktual i kësaj komune si dhe kryetar i degës së AAK’së në Suharekë, Bali Muharremaj.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka qenë i ftuar në KTV, ku edhe ka thënë se në mandatin e kryetarit të kësaj komune, nuk e ka realizuar vetëm një nga 20 premtimet që pati dhënë në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 2017’s.
Sipas tij, ky premtim ka të bëjë me themelimin e një ndërmarrjeje që do të merrej me ujërat e zeza.
“Prej 20 premtimeve besoj vetëm një s’e kam realizuar. Kjo është pasi që një person kur kandidon për herë të parë, nuk mund t’i dijë të gjitha gjëra”, ka thënë Muharremaj.
Mirëpo sipas Institutit GAP, Muharremaj nga 20 premtimet e dhëna në vitin 2017, vetëm 12 i ka përfunduar.
Sipas po të njëjtit Institutit, nga 20 premtimet, 4 janë gjysmë të përmbushura, 2 të filluara dhe 2 nuk kanë filluar fare.
Më poshtë mund ta shihni edhe raportin e GAP, për premtimet e Bali Muharremaj. /gazetametro.net