Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, i cili u përfol shumë dhe nuk po pranohet nga opozita, do të bëjë nesër paraqitjen e parë publike dhe nga aty do të prezantojnë gjithë dokumentacionin dhe rezultatet për madhësinë territoriale të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, ky Komision thotë se paraqitja e tij do të bëhet nesër (e martë) duke filluar nga ora 10:00, në ambiente të Qeverisë së Kosovës, përcjell gazetametro.net.
E pas kësaj komisioni thotë se do të bëhen edhe diskutimet publike, që do të zgjasin tri ditë nga 21 – 24 shkurt 2017, nga ora 10:00 -15:00 në ndërtesën e Qeverisë.
Përmes kësaj komunikate Komisioni ka lajmëruar po ashtu edhe për dorëheqjen e njërit prej anëtarëve të Komisionit i cili ka qenë si përfaqësues i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore.
“Ai e braktisi në mënyrë demonstrative takimin vetëm pak minuta pas fillimit të tij ende pa filluar prezantimi profesional i Draft-raportit dhe me këtë rast, e deklaroi dorëheqjen e tij nga ky Komision”, thuhet në komunikatë. /gazetametro.net