Kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se orientimi i Kosovës është vetëm Bashkimi Evropian, derisa ka thënë se deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama se “bashkimi kombëtar është alternativë e Shqipërisë nëse s’ka perspektivë drejt BE-së” është populiste.
Mustafa ka thënë se Kosova do të tentojë vetëm futjen në BE në çdo mënyrë.
“Ne nuk e kemi orientimin që të bëjmë bashkime tjera, përveç Bashkimit Evropian. Edhe nëse s’na pranojnë për dere, do të hyjmë për dritareje”, deklaroi Mustafa në Rubikon të KTV-së.
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar sot e bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse prespektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.
Në një intervistë për “Politico”, Rama ka paralajmëruar se “Europa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Unionit.
“Rajoni do të kthehet në një zonë gri ku aktorë të tjerë do të jenë më influentë sesa Bashkimi Europian”, ka thënë Rama.