Krizat e mëparshme kanë treguar se si një përplasje ekonomike ka pasoja të rënda për shëndetin e njerëzisë. Kësaj radhe e kundërta COVID-19 po tregon se si një krizë shëndetësore mund të jetë shkatërrues për ekonominë e gjithë globit.
Shkruan: Blerta Haliti Baruti
Duke theksuar secilin nga vendet që ka prekur dhe vazhdon të prek, ka potencialin të krijojë kriza shkatërruese sociale, ekonomike dhe politike që do të lënë plagë të thella. Tashmë e kuptueshme që para së gjithash është një krizë shëndetësore e si vazhdimësi e saj edhe krizë ekonomike, nëse bota nuk arrin të mbrojë ekonominë, kjo pandemi do të dëmtojë shëndetin e mbarë njerëzisë jo vetëm tani por edhe në të ardhmen. Pra, këtu qëndron rëndësia e ekonomisë, koronavirusi mund të inkurajojë njerëzit të kuptojnë se të gjithë varen nga njëri-tjetri në këtë planet të vogël dhe, qoftë ngrohja globale, pabarazia, ose degradimi i mjedisit, do të notojnë ose fundosen së bashku.
Pak më shumë se një dekadë më parë, qeveritë kryen hulumtime në shkallë të gjerë mbi popullsinë e tyre. Secili shtet vendosi nëse do të miratojë apo jo masa shtrënguese pas krizës globale financiare të 2008-ës. Pasoja ishte se shumë nga qytetarët e tyre që më parë ishin ndjerë të sigurt, në krizë dhe pas krizës u shprehen që ndjeheshin jashtëzakonisht të pasigurt në jetë. Gjithnjë e më shumë, ata e shihnin veten duke jetuar nga muaji në muaj, duke u përballur me pasiguri të punësimit, të ardhurave, strehimit dhe madje edhe ushqimit. Vende të tilla si Greqia, Italia, Spanja dhe, pas vitit 2010, Mbretëria e Bashkuar që kishte zgjedhur të zbatonte masa shtrënguese ose të kishte imponuar masa të tilla ndaj tyre, ose që pësuan humbje të industrive tradicionale, pësuan një shëndet të përkeqësuar, i cili në mënyrë tipike mori formën e asaj që do të quhej “sëmundje e dëshpërimit”, siç janë vdekjet dhe vetëvrasjet që lidhen me alkoolin dhe drogën.
Rreth 10,000 vetëvrasje shtesë rezultuan pas krizës globale financiare të vitit 2008. Siç thuhet fat në fatkeqësi, në këtë rast kishte Kosova e cila u prek në mënyrë indirekte por jo në atë masë për t’u vërejtur dhe për të pas pasoja në njerëz. Shtete si Mbretëria e Bashkuar, ku rritja konsumi ishte praktikisht një koncept i huaj, tek ata pati një rritje masive të njerëzve që kërkojnë ndihmë urgjente ushqimore, veçanërisht në ato zona të goditura nga masa shtrënguese. Padyshim që gjendja e atëhershme pati edhe pasoja politike. Shumë prej atyre që jetojnë në zonat më të prekura braktisën besnikërinë e gjatë për të votuar. Sidoqoftë, kjo nuk ndodhi kudo.
Disa qeveri, si ato të Gjermanisë, Holandës dhe, para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010, Mbretëria e Bashkuar, kundërshtuan shtrëngimin dhe kërkuan të stimulojnë ekonominë, shpesh të shoqëruara me masa për të mbrojtur më të prekurit, ndërsa Vendet Skandinave nuk kishin problem të mëdha (e që edhe tani po duket që menaxhuan më së miri situatën që po kalon e gjithë bota. Sepse si pasoj e papunësisë, humbjeve financiare në shumë vende evropiane, rritja e vetëvrasjeve u rrit nga post efekti i krizës. Por në disa vende kjo lidhje u ndryshua për të mirë, këto ishin vendet që përpiqeshin t’i japin shpresës njerëzve të tyre – për shembull, me politika për t’i lehtësuar ata, duke u mundu ti kthenin përsëri në punë nëse ata humbin punën ose t’i mbronin ata në mënyra tjera përmes ndihmave financiare.. është krijuar po thuajse e njëjta gjendje psikike edhe tash tek njerëzit dhe sipas parashikimeve të disa psikologëve do ketë vdekje të natyrës së ndryshme si rezultat i efektit të post pandemik.
Pra është më se e kuptueshme që vetë rënia ekonomike ka një efekt negativ në shëndet. Një ulje në aktivitetin ekonomik zvogëlon qarkullimin e parave dhe, bashkë me të, të ardhurat tatimore. Kjo zvogëlon financat në dispozicion për kundërmasat e shëndetit publik të nevojshme për kontrollin e pandemisë e tutje. Kjo gjendje ka godit gjithashtu individë dhe familje, të cilët mund të shohin se të ardhurat e tyre janë në rënie në mënyrë katastrofale.
Pasi të kenë varfëruar rezervat e tyre financiare, kompanitë janë afër falimentit. Shembull konkret tashmë të publikuara në Kinë, ku u godit për herë të parë nga COVID-19, prodhimi industrial është ul me rreth 13.5%, shitjet me pakicë të rregullta sezonale janë ulur 21%. Disa sektorë janë shembur pothuajse plotësisht. Shitjet e makinave kanë rënie 92%, dhe shërbimet si hoteleri, turizëm, restorant, të gjitha llojet e transporteve ka rënë 95%. Po ashtu parashikimet nga Goldman Sachs për ekonomin amerikane thotë që mund të tkurret me 24% në tremujorin e dytë të vitit 2020, dy herë më shumë se çdo rënie e regjistruar ndonjëherë.
Ndërsa në Kosovë bazuar në parashikimet e fundvitit 2019 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritej një përshpejtim i rritjes ekonomike në nivel global përgjatë periudhës afat-mesme, mesatarisht 3.5%, përkatësisht në ekonominë Europiane për periudhën 2020-2022 pritej të ketë rritje mesatare rreth 1.6%, ndërsa në ekonominë e Kosovës mesatarisht mbi 4%. Por si pasojë e pandemisë edhe ekonomia e Kosovës do të ketë rënie nga 2.5% deri 5% që do të thotë nuk vlejnë parashikimet pozitive më. Të dhënat e fundit nga ASK paraqesin se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në Kosovë ishte (-0.1%) në muajin mars 2020 krahasuar me muajin shkurt 2020. Kjo kryesisht shpjegohet me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it: përdorim i pajisjeve për transportin personal (-6.4%) – (rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës) me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.5%) në IHÇK. Kurse, ngritje e çmimeve te nëngrupet: bukë dhe drithëra (0.2%); mish (0.4%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (0.4%) në IHÇK.
Pas matjes së normë vjetore të inflacionit, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë për 0.7% në muajin mars 2020, krahasuar me muajin mars 2019. Kjo kryesisht është ndodhë me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it (bukë dhe drithëra, ujë, pije joalkoolike etj 43.9% ) pastaj edhe energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (0.4%); drunj për ngrohje, enë, takëme dhe mjete të ndryshme të kuzhinës (2.2%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4.7%); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3.6%); shërbime ambulatore (6.1%); blerje e automjeteve (1.7%); shërbime hoteliere (2.5%); gjëra personale (4.2%); sigurime (19.2%); sigurim i automjeteve, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.8 për qind në IHÇK. Vërehet ndryshim I nevojave apo vënies së prioriteteve për blerje nga qytetarët.
Çfarë mund të mësohet nga kjo përvojë? Se masat e përdorura zakonisht nga qeveritë dhe bankat qendrore, të tilla si ulja e normave të interesit ose zbatimi i stimujve fiskalë, kanë vetëm efekt të kufizuar. Më së shumti, ato mund të lehtësojnë efektet tash për tash. Andaj do ishte mirë që të mendohen se si të shërohet ekonomia pasi të mbarojë kjo pandemi. Disa ekonomistë amerikanë mendojnë që duhet përdorur tre hapa si më të rëndësishëm përgjatë ditëve në vazhdim: të ruajmë jetë/ shëndetin, të mbrohet rreziku financiar tashmë të gjitha shtet e prekura janë munduar ta bëjnë dhe të përgatitemi për shërim. Kur flasim për hapin e tretë dhe më të rëndësishëm për të ardhmen e ekonomisë, do të thotë të sigurojmë të ardhmen e kompanive, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që luajnë një rol kaq të rëndësishëm në ekonomi, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm të plotësojnë kërkesën që do të kthehet një ditë. Kështu do mund të ndihmohet ekonomia botërore…
(Autorja i këtij opinioni paraqet qëndrimet personale, PhD Cand Blerta Haliti Baruti)