Policia e Gjirokastrës arrestoi një person mbrëmë në dalje të qytetit pasi u konstatua se kishte tentuar të paguante mbushjen e makinës me karburant me një kartmonedhë të prerjes 1 000 lekë fale.
Përdorimi i kartmonedha false nuk është një fenomen i ri në vend, megjithatë duket se muajt e fundit po zgjerohet pasi vazhdimisht qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e mashtrimeve të tilla.
Krahas kartmonedha të prerjes 500 lekë, tani po falsifikohen masivisht edhe kartmonedhat e prerjes 1 000 lekë.
Portali Albeu, verifikoi disa denoncime qytetarësh të mashtruar, të cilëve iu janë lënë në dorë kartmonedha të tilla nëpër shitore të ndryshme të kryeqytetit duke konstatur disa specifika të kartmonedhave false, të cilat i bëjnë të dallohen mjaft lehtë nga kartmonedhat e rregullta.
Disa nga personat e mashtruar kanë bërë denoncime në polici dhe tashmë organet e rendit janë duke kryer verifikimet e nevojshme për të rënë në gjurmët e falsifikatorëve.
Si ta dalloni një kartmonedhë false
Nëse mendoni se verifikimi i shiritit të ndritshëm mjafton për të mos u mashtruar, gaboheni. Kjo, pasi falsifikatorët kanë përfeksionuar metodat e tyre duke shtypur mbi kartmonedhat false edhe këtë element dallues.
Megjithatë, nëse shihet me kujdes, tek kartmonedha false nuk është i shënuar numri 1 000 lekë mbi shiritin e shndritshëm, ndryshe nga kartmonedhat e rregullta.
Gjithashtu, një kartomonedhë 1 000 lekë false është rreth 5 mm më e ngushtë se sa kartmonedha 1 000 e rregullt.
Kjo është një element i rendësishëm për t’a dalluar pasi nëse shihet me vëmendje, dallimi është i dukshëm, shkruan Albeu.
Krahas kësaj, kartmonedha e falsifikuar nuk e ka relievin mbi të, ndryshe nga kartmonedha e rregullt, e cila ka reliev në disa pjesë të saj.
Një element tjetër dallues është letra. Kjo e fundit është shumë e butë dhe duket si e lagur e rrudhur tek kartmonedhat e falsifikuar, ndërsa letra e kartmonedhave të rregullta është më e fortë dhe më e shndritshme.