Loading…

Në kohë të zgjedhjeve, Radoniqi dhe stafi i KQZ’së me tender të 60 mijë eurove për bileta

  • 12/05/2026 | 13:33

Në kohë të zgjedhjeve, Radoniqi dhe stafi i KQZ’së me tender të 60 mijë eurove për bileta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tender në vlerë prej 60 mijë eurosh për shërbime të transportit ajror. Sipas dokumenteve të tenderit, parashihet furnizimi me rreth 70 bileta avioni për anëtarët e KQZ-së dhe stafin e sekretariatit, shkruan Gazeta Metro.


Derisa Kosova po hyn në javët vendimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të merret me organizimin e udhëtimeve ajrore për vitet e ardhshme.

Institucioni i udhëhequr nga Kreshnik Radoniqi ka hapur tender 60 mijë euro për bileta avioni, ku në dokumentet zyrtare përshkruhet një listë e gjatë kërkesash dhe komoditetesh për udhëtime të stafit dhe anëtarëve të KQZ-së nëpër botë.

Sipas specifikave të tenderit, kompania që fiton kontratën duhet të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit, vetëm për nevojat e KQZ-së. Pra, edhe gjatë vikendeve, festave apo orëve të vona të natës, operatori ekonomik duhet të jetë gati për t’u siguruar zyrtarëve bileta avioni, ndryshime itinerari apo rezervime emergjente.

Tenderi parasheh rreth 70 bileta avioni, por me mundësi devijimi deri në plus-minus 30 për qind, çka nënkupton se numri real mund të rritet ndjeshëm.

Destinacionet nuk specifikohen fare, përmenden vetëm “vende të ndryshme të botës”, ndërsa udhëtimet lidhen me konferenca ndërkombëtare, aktivitete zgjedhore dhe vizita zyrtare.

 

Në dokument shihen edhe kërkesa tepër të detajuara për kompaninë fituese. Ajo duhet të përgjigjet brenda 6 orëve për çdo kërkesë për biletë elektronike, ndërsa në raste të jashtëzakonshme duhet t’i dërgojë biletat fizike në zyrat e KQZ-së apo direkt te udhëtari.

Përveç kësaj, operatori duhet të informojë menjëherë për çdo anulim fluturimi, vonesë, mot të keq, grevë apo ndryshim të itinerarit.

KQZ kërkon që për çdo udhëtim të ofrohen të paktën tri opsione fluturimi nga kompani të ndryshme ajrore, përfshirë edhe kompani “low cost”, por njëkohësisht insistohen edhe itinerare sa më të favorshme dhe fleksibilitet maksimal për zyrtarët që udhëtojnë. Praktikisht, kompania duhet të funksionojë si një agjenci personale udhëtimesh për institucionin.

Për ta bërë edhe më të pazakontë tenderin, specifikat kërkojnë që operatori të ruajë “screenshots” të rezervimeve online, printime nga sistemet AMADEUS, GALILEO apo SABRE dhe madje përmendet mundësia që gjatë rezervimit të vendoset kamerë për të incizuar të gjithë procesin e blerjes së biletës. Çdo video duhet të ruhet dhe të jetë e qartë për verifikim të çmimeve dhe itinerareve.

Në kontratë përfshihen edhe detaje për bagazhet shtesë, ndërrimet e ulëseve në aeroplan, anulimet e biletave dhe “service charge” për secilin ndryshim. Pra, tenderi hyn deri në menaxhimin e çdo detaji të udhëtimit, duke krijuar përshtypjen e një sistemi të tërë logjistik vetëm për fluturimet e zyrtarëve.

Po ashtu, operatori ekonomik obligohet të ketë staf shtesë gjatë periudhave të ngarkuara dhe një menaxher të kontratës që do të merret ekskluzivisht me komunikimin me KQZ-në. Pagesat do të bëhen nga institucionet që porosisin biletat, ndërsa çdo faturë duhet të shoqërohet me dokumente shtesë, rezervime, dëshmi dhe raporte mujore për të gjitha fluturimet./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë