Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kundërshtuar deklaratat se partia e saj nuk po angazhohet për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një reagimi, ajo theksoi se PDK-ja vazhdimisht ka kërkuar funksionalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të vendit, duke bërë dallim mes këtij qëndrimi dhe refuzimit të marrëveshjeve politike me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Është një e pavërtetë e madhe të thuhet se PDK e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për formimin e institucioneve”, shkroi Çitaku.
Ajo tha se deputetët e PDK-së kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në Kuvend dhe kanë kërkuar zbatimin e dispozitave kushtetuese. Tutje, Çitaku ritheksoi se partia e saj nuk synon marrëveshje politike me Kurtin, por sipas saj kjo nuk nënkupton kundërshtim ndaj funksionalizimit të institucioneve.
“Kemi qenë çdo 48 orë në Kuvend. Kemi qenë çdo ditë para Qeverisë. Kemi kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve. PDK nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për pazare politike me Albin Kurtin. Kjo është e vërtetë. Por për institucione? Gjithmonë”, shkroi ajo.
Në fund, Çitaku ka ftuar deputetët të jenë të pranishëm në seancën e paralajmëruar për të enjten në orën 11:00.
“Ejani nesër në Kuvend. Në orën 11:00. Ne jemi aty. Kosova ka nevojë për institucione, jo për pazare”, përfundoi Çitaku./gazetametro.net