Loading…

Në Gjakovë tallen me viktimat e masakrës, trajtim jo i dinjitetshëm i varrezave |FOTO

  • 15/08/2018 | 15:43

Në Gjakovë tallen me viktimat e masakrës, trajtim jo i dinjitetshëm i varrezave |FOTO

Trajtimi jo i dinjitetshëm i institucioneve shtetërore ndaj memorialit dhe varrezave të martirëve në Meje të Gjakovës, ka shkuar deri në tallje me të vrarët. Fotografitë që së fundi po u vendosen disave prej tyre janë thjesht të frikshme dhe skandaloze. Kjo po i shqetëson familjarët e këtyre martirëve dhe përfaqësuesit e tyre.


Varrezat e 376 të vrarëve në masakrën e 27 dhe 28 prillit 1999 në Meje të Gjakovës vazhdojnë të jenë shqetësim për familjarët e të vrarëve.

Problemet dhe mostrajtimi i dinjitetshëm i këtyre varrezave nga ana e institucioneve kosovare, po vazhdon. Joserioziteti në ndërtimin e memorialit të këtyre viktimave në vendin e quajtur “Lëndina e Pikëllimit” në Meje të Gjakovës po shihet edhe në vendosjen e disa prej fotografive të të vrarëve në pllakat që identifikojnë varret e tyre.

Jeton Sokoli, familjar i disa prej të vrarëve, është një prej atyre që po reagon ndaj këtyre fotografive. Edhe pse ende s’e ka parë pllakën me fotografi të babait dhe xhaxhallarëve të tij që u vranë para 19 vitesh nga paramilitarët serbë, ai thotë se është i shqetësuar me ato çka ka parë deri më sot. Ai konsideron se për ta është jonjerëzore.

“Shqetësimi kryesor është mënyra se si këta fëmi, gra, burra, pleq që janë vra, masakru, këtu në Meje, janë duke u trajtu. Trajtimi që oshtë tu iu ba varrezave të martirëve të Mejës është shumë jonjerëzore dhe në mënyrë jo të dinjitetshme. Tu fillu prej vonesave që janë bo në përfundimin e projektit për rregullimin e varreve. Pothuajse 20 vite janë bo nga përfundimi i luftës, kur ka ndodhë masakra, 15 vite që kur janë ardhë mbetjet e fundit me u varros këtu, është një vonesë shumë e madhe dhe trajtim jo i dinjitetshem i njerëzve që kanë vdekë këtu”, tha ai në një bisedë për Gazetën Express, derisa qëndron pranë varreve të familjarëve të tij në “Lëndinën e Pikëllimit” në Meje.

Ai thotë se nuk e dinë kush është kompania që është përzgjedhur për të kryer këto punime, por ankohet për joseriozitet në punën që po e bëjnë.

“Ditëve të fundit kanë nisë me i pru pllakat që kanë me u vendosë te kokat e secilit varr. Disa prej fotografive me të vërtetë janë shumë shqetësuese në mënyrën si janë printu dhe si janë vendosë. Disa janë mirë, disa janë shumë keq. Kjo na bën me kuptu se kushdo që është duke punu, s’e dimë kush, por është tu punu në mënyrë joprofesionale dhe joserioze. Ne si shqiptarë nuk e kemi pasë zakon me i trajtu varrezat në këtë mënyrë, sidomos ata që kanë dhënë jetën për këtë vend”, shton Jeton Sokoli, familjar i disa të vrarëve në Meje.

Se ka mungesë serioziteti në punën që po bëhet në memorialin në Meje, e thotë edhe Engjëll Berisha nga shoqata “27 Prilli” në Gjakovë.

“Po bëhet kohë e gjatë qëkur ka nisur ndërtimi i memorialit të martirëve në Meje. Që nga fillimi kemi pasur pengesa të natyrave të ndryshme. Kohëve të fundit janë rritur këto duke u kontraktuar disa nënkontraktorë. Kemi hasur në kundërshtime nga familjarët, dhe kemi kthyer nga fillimi disa herë punimet”, tha Berisha.

Edhe ai flet për shqetësimet që kanë familjet rreth fotografive që po u vendosen të vrarëve në Meje, te pllaka përkujtimore mbi varret e tyre.

“Mirëpo, tani te përfundimi i pjesës së parë të memorialit, që janë varrezat, po shtohen gjithnjë e më shumë ankesat e familjarëve dhe druaj se problemi më i ri do të hapet tani me pikturimin e fotove që po shihen pakënaqësitë me ardhjen e tyre. Familjarët nuk janë pajtuar me mënyrën e punës. Janë punuar pllakat në mënyrë jo të duhur, kanë ardhur mbulimi i varrezave me pllaka të çara. Ndërsa kubëzat të cilat janë shtruar kanë lëvizur disa herë”, shton përfaqësuesi i familjeve të të vrarëve dhe të zhdukurve në masakrën e prillit 1999 në Meje.

Por, sipas tij, familjarët nga fillimi nuk po pajtohen as me ecurinë e punimeve tjera.

Sipas tij, krejt këto po bëhen pasi kompania përgjegjëse që ka marrë përsipër ndërtimin e memorialit ka nënkontraktuar disa kompani tjera të vogla për të kryer punimet.

“Nuk është bërë punë profesionale, pasi siç thamë ka pasur më shumë se 2 apo 3 nënkontraktorë që ne nuk kemi mundur as t’i kontrollojmë as monitorojmë. Por nuk ka ardhur në monitorim as vetë instituti i monumenteve aq sa është dashur duke mos dhanë asnjë arkitekt apo inxhinier për ta përcjellë punën”, thotë Engjëll Berisha.

Berisha thotë se për gjithçka çka ka shkuar keq në ndërtimin e memorialit të varrezave të martirëve në Meje të Gjakovës, dhe për parregullsitë tjera që kanë çuar në vonesa të ndërtimit të memorialit, tashmë kanë dërguar lëndë në Polici dhe Prokurori, te krimet ekonomike.

“Është hapur tema deri te krimet ekonomike, për të hetuar ata të cilët e kanë neglizhuar apo vonuar apo edhe instituti, i cili e ka dhënë projektin pa u pyetur fare familjarët”, tha ai.

Të martën, gjatë qëndrimit në Meje, ka parë nga afër fotografitë për të cilat janë ankuar familjarët dhe përfaqësuesit e tyre. Disa prej tyre janë, thjeshtë, të frikshme. Fytyrat në fotografi janë dukshëm të deformuara.

Mbi disa varre ishin të vendosura të dy pllakat. E para që ishte vendosur nga familjarët, e që kishte fotografi të qartë të të vrarëve, dhe kjo e fundit e vendosur nga kompania që shteti e ka tenderuar e që dukej e deformuar deri në shëmti.

Në një prej pllakave me fotografi të tillë, familjarët kishin lënë një porosi mbi pluhurin që e kishte mbuluar. Në të shkruante “Kjo foto nuk bën”.

Problem tjetër janë edhe mbeturinat që ndodhen në afërsi të varrezave, që janë shkaktuar nga punëtorët gjatë punimeve në memorial.

Kompleksi Memorial “27 Prilli” në Meje të Gjakovës kishte filluar të ndërtohet nga komuna e Gjakovës, por punimet ishin ndërprerë në mungesë të buxhetit. Nga viti 2016, ky projekt ka kaluar në menaxhim të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, e cila në vitin 2017 kontraktoi një kompani për ekzekutimin e punimeve në ndërtimin e varrezave, e cila aktualisht është duke i kryer punimet.

Vonesat dhe parregullsitë tjera në ndërtimin e këtij memoriali tashmë janë duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit. Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj, më 27 prill të këtij viti, në ceremoninë përkujtimore të 376 të vrarëve në Mejë, para fillimit të së cilës disa familjarë kishin provuar të pengonin pjesëmarrjen e krerëve shtetërorë në ceremoni, pikërisht për shkak të mostrajtimit të dinjitetshëm nga shteti të këtyre martirëve.

Po ashtu janë kërkuar sqarime nga Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale rreth shqetësimeve të familjareve të të vrarëve në Meje për gjendjen e varrezave dhe problemet tjera brenda ndërtimit të kompleksit memorial, por ata të mërkurën nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, 17 nga 376 të vrarët në Meje ende nuk janë gjetur. Kjo masakër, viktimat e të cilës nuk po trajtohen dinjitetshëm nga shteti, as 19 vjet pas luftës së fundit në Kosovë, është një nga masakrat më të rënda që kryen paramilitarët serbë ndaj civilëve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë