Loading…

Ndodh në QKUK, qytetares ia bëjnë publik testin e HIV AIDS

  • 01/03/2018 | 16:38

Ndodh në QKUK, qytetares ia bëjnë publik testin e HIV AIDS

Një qytetare e Mitrovicës është stigmatizuar duke iu bërë publik testi i HIV Aids-it. Asaj i është ekspozuar rezultati i analizave në dritaren e njërit prej sporteleve më të frekuentuara të Laboratorit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHK).

Megjithëse informatat rreth diagnozës dhe gjendjes shëndetësore të pacientëve janë konfidenciale dhe të mbrojtura me ligj, ka rreth një muaj që kjo konfidencë shkelet hapur në ambientet e këtij instituti të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Një paciente që kishte dërguar mostrat e veta për analiza në Laboratorin e Mikrobiologjisë të IKSHK-së, për tri ditë rresht kishte hasur në një fenomen të tillë. Në ditën e tretë të vajtjes së saj (gjatë kësaj jave), ajo me celular kishte marrë disa pamje të sportelit të laboratorit në fjalë, në kohën kur personeli mjekësor nuk kishte vajtur akoma në punë (H 7:30). Në foto shihet rezultati i analizës për HIV Aids që ishte vënë thuajse ngjitur me dritaren. Aty vërehen qartë të dhënat personale të pacientes si dhe rezultati i testit i dalë më datë 5 shkurt 2018. Këto informata, së bashku me pamjet, i janë përcjellë Lajmi.net.

I pyetur (nga gazetari ynë) rreth ekspozimit të rezultatit të analizave të pacientëve në dritaret e sporteleve të QKUK-së, njëri prej mjekëve të kësaj qendre ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur.

“Pacientët shkojnë vetë për t’i kërkuar rezultatet sipas terminit që iu është caktuar… Mund të ndodhë që ndonjëri prej tyre vonohet për t’i marrë ato rezultate, prandaj mund të ketë ndodhur ndonjë ekspozim i tillë, edhe pse publikimi i diagnozës ndalohet”, ka thënë ai.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, Ministria e Shëndetësisë (MSH), është kujdesur që t’i njoftojë pacientët për të drejtat e tyre. Ajo ka vendosur gjithandej në ambientet e QKUK-së udhëzime dhe rregullore të cilat japin informacione të detajuara rreth obligimeve dhe të drejtave reciproke, si për personelin mjekësor ashtu edhe për pacientët. Një njoftim i tillë është edhe në Laboratorin e Mikrobiologjisë në IKSHPK. Madje përballë sportelit të këtij laboratori është vënë “Karta e Të Drejtave Të Pacientit”.

Pika 6 e kësaj karte përmban “Të drejtat për privatësi dhe konfidencialitet”, ku specifikohet me sa në vijim: “Çdo qytetar ka të drejtën e konfidencialitetit të informatave personale, duke përfshirë informatat lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe procedurat e mundshme diagnostike ose terapeutike”.

Ndërkaq, shkelja e konfidencës së pacientëve nga personeli mjekësor është veprim i sanksionuar edhe me Kodin Penal i Republikës së Kosovës (04/L-082), paragrafi 1 i nenit 203.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë