Loading…

Ndërtimtaria, profesioni më vdekjeprurës në Kosovë

  • 01/11/2018 | 20:13

Ndërtimtaria, profesioni më vdekjeprurës në Kosovë

Ndërtimtaria në Kosovë, mund të jetë sektori më i lehtë për t’u punësuar, por vazhdon të jetë vendi i punës më i rrezikshëm, pasi vetëm këtë vit 18 punëtorë kanë vdekur duke kryer këtë punë.

Shkaqet kryesore që çojnë në vdekjen e punëtorëve, janë mungesa e kulturës sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, duke mos përjashtuar trajnimin adekuat të punëtorëve që i kryejnë këto punë.

Dy punëtorë, që punojnë në sektorin e ndërtimtarisë në Prishtinë, duke folur në kushte anonimiteti, thonë  se përveç punëdhënësve, edhe ata vetë janë fajtorë.

“Skelet, në mëngjes janë rrezik. Duhet shpesh të hipim në katin e tetë ose edhe më lart, se tash po ndërtohen objekte edhe më të larta. Problem tjetër mbetet izolimi i skelave me rrjeta mbrojtëse”, thotë një punëtor i një kompanie që merret me ndërtimin e objekteve banesore.

“Nganjëherë i kemi litarët e lidhemi, nganjëherë edhe vetë punëtori nuk e merr litarin, se harron, dhe në atë mëngjes ai është problemi kryesor”, thotë një punëtor tjetër.

Shifrat e vdekjeve në këtë sektor, në pesë vjetët e fundit, janë shqetësuese. Sipas të dhënave zyrtare, 93 punëtorë të ndërtimtarisë kanë vdekur në vendin e tyre të punës, e shumë të tjerë kanë marrë lëndime të rënda.

Sipas Naim Bajraktarit, kompania e të cilit bën vlerësimin e sigurisë dhe shëndetit në punë, kjo po ndodh për shkak të vetëdijes së ulët për sigurinë në punë.

Ai përmend disa nga faktorët kryesorë, nga të cilët po rrezikohen këta punëtorë.

“Kjo është shumë shqetësuese dhe po përsëritet çdo vit. Shumë pak është zbutur edhe këtë vit numri i fatkeqësive dhe të gjitha vijnë nga mosrespektimi i mjeteve(masave) mbrojtëse,prej atyre personale deri tek ato të përgjithshme, që janë skelet, rrethoja e objekteve, skelet sipas standardeve”, thotë Bajraktari.

Problem tjetër, sipas Bajraktarit, është edhe orari i gjatë i punës.

“Një punëtor që punon nga ora shtatë, që ka ardhur nga fshati, është zgjuar në orën pesë dhe e lë punën në orën 18, dhe derisa shkon në shtëpi në ora 20 ose 21,12 – 13 orë punë, ai të nesërmen nuk është i freskët”, thotë Bajraktari.

Kurse, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori i ndërtimtarisë është prioritet për Inspektoratin.

Ibrahimi ka treguar se gjatë këtij viti, kanë bërë 1 mijë inspektime vetëm në ndërtimtari. Në muajin e fundit, përkatësisht për dy javë në Prishtinë, sipas tij, janë pezulluar 11 vende punishte dhe janë shqiptuar 14 gjoba, si pasojë e mos krijimit të kushteve për siguri në punë.

Mirëpo, numri i vogël i inspektorëve, vetëm 42 në tërë Kosovën, thotë Ibrahimi, vazhdon të jetë problem për të mbikëqyrur kushtet e punës të punëtorëve.

“Numri i inspektorëve është i vogël, duke e pasur parasysh të gjithë gamën e mbikëqyrjes që e ka inspektorati i punës. Gjithsesi se kjo është një prej faktorëve kryesorë që sot është gjendja kështu dhe për shkak të një mungese permanente të mbikëqyrjes të secilit vend të punës, sepse i kemi 55 mijë biznese që janë aktive”, thotë Ibrahimi.

Edhe vendet tjera fqinje nuk janë më mirë se Kosova sa i përket sigurisë në punë, pasi vdekje në vendin e punës ka edhe në vendet e rajonit. Por numri i lëndimeve të punëtorëve, është më i madh në Kosovë./REL

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë