Ministri i mbrojtjes i Serbisë “ka harruar” se është Kosova ajo e cila ka qenë viktimë e luftës së ’99-ës dhe NATO ka ndërhyrë për të shpëtuar popullatën e pambrojtur të saj, duke ndërruar tezë dhe duke e paraqitur Serbinë si viktimë në një forum ndërkombëtar në Pekin.
Madje, ai i ka frikësuar ata, duke ua tërhequr vërejtjen se mund t’i gjejë e njëjta gjë:
“Të gjithë ju, të cilët e keni njohur Kosovën, si pasojë e dhunës, mendoni edhe njëherë, sepse tërë ajo që i është bërë vendit tim, mund t’u bëhet edhe ju. Kur forca bëhet ligj, kurrë nuk do të dihet se do të zbatohet edhe ndaj jush”, ka thënë Vulin.
Nëse eventualisht kjo nuk i ka bërë punë, ai ka gjetur edhe një “gogol” tjetër – Shqipërinë e madhe, transmeton gazetametro.net
“Që ajo të krijohet, duhet të ndahet Serbia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore madje edhe Greqia”. ka thënë ai, duke kërcënuar se, nëse nuk arrihet zgjidhje me dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë, “Ballkani do të ndizet edhe njëherë” dhe ky zjarr “nuk do të ndizet vetëm në Ballkan”.
Edhe hyrja e Kosovës në Interpol, sipas ministrit serb, paraqet rrezik të madh, madje ndërkombëtar:
“Tani, ndërkaq, ka presione që Kosova të pranohet në Interpol e UNESCO. Dhe si do të mundet Interpoli të ruajë autoritetin e tij nëse në të dhënat për narkodilerët ka qasje Prishtina, prej nga vijnë narko-klanet më të fuqishme”, ka thënë ai sipas medieve serbe.
Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë, që sivjet po mbahet në Pekin, ka mbledhur 500 përfaqësues nga 72 vende e organizata ndërkombëtare./gazetametro.net