Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se ende ekziston mundësia që gjatë ditës të ketë zhvillime pozitive në diskutimet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit, transmeton Gazeta Metro.
Zemaj u deklarua pasi seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre pas kërkesës së kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve politike.
“Shpresoj dhe besoj që brenda ditës së sotme mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive, por mbetet të shohim ka ose nuk ka”, tha Zemaj para mediave.
Ai bëri të ditur se LDK-ja nuk ishte informuar paraprakisht për kërkesën e Kurtit për shtyrjen e seancës, ndërsa ka kritikuar qasjen e tij në këtë proces.
Tutje, Zemaj theksoi se tejkalimi i afateve kushtetuese mund të sjellë pasoja për funksionimin institucional të vendit.
“Ishte i pritshëm propzoimi i emrit sepse nuk ka debat në seancën konstituive, por ky është Albin Kurti, ai di edhe të debatoj, edhe të hapë fushatë elektorale, edhe të kërkojë kohë shtesë duke menduar se është një dhe i vetmi mbi Kushtetutën dhe mbi vullnetin politik. Çdo shtyrje e afatit kushtetues na futë në krizë kushtetuese”, deklaroi ai./gazetametro.net