Paguajnë 3 fatura të energjisë paraprakisht, por muajve të fundit nuk e kanë pasur të sigurt furnizimin me lëndën kryesore që mundëson prodhimin.
Bashkim Osmani, prodhues i lëngjeve, është ndër prodhuesit që po ka reduktime të energjisë elektrike. Osmani thotë të ketë kërkuar nga KEDS-i që të paktën ta njoftojë kompaninë më herët kur ka në plan të ndalë furnizimin, raporton KTV.
Osmani që nuk ka përvojë të mirë me çështjen e furnizimit me energji, ka thënë se ndërprerjet e rrymës po ia rrisin koston e prodhimit në mbi 30%.
KEDS-i nuk e ka përjashtuar mundësinë reduktimeve që, sipas tyre, kanë mundur të bëhen deri në vendimin e fundit të nxjerrë nga ZRRE-ja.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se zakonisht nuk iu ndalin energjinë konsumatorëve që janë në kategorinë A+, por kur ka reduktime, ata njoftohen, ndërsa ndërprerjet që mund të ndodhin tek ata konsumatorë, mund të ndodhin vetëm atëherë kur KEDS-i nuk ka ndonjë zgjidhje alternative.