Loading…

Ndërkombëtarët kërkojnë themelimin e Asociacionit, por Kurti thotë që s’e ka kaluar testin, krejt çka deklaroi kryeministri dje

  • 27/01/2023 | 08:20

Ndërkombëtarët kërkojnë themelimin e Asociacionit, por Kurti thotë që s’e ka kaluar testin, krejt çka deklaroi kryeministri dje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka folur për media lidhur me takimin e tij më të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin pati një darkë pune të mërkurën mbrëma, raporton Gazeta Sinjali.


Kurti ritheksoi dje se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bazë e mirë për diskutime rreth një marrëveshjeje që duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ndërsa nënvizoi se asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk mund të ketë përparësi ndaj marrëveshjeve tjera.

Ai deklaroi hapur se ndërkombëtarët janë duke insistuar që të zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por përsëriti se Asociacioni është e vetmja nga 33 marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, Kurti tha se tashmë procesi i bisedimeve duhet t’i çojë palët përpara.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni siç është nënshkruar më 2013 dhe pastaj i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit 2015 të theksohet më shumë. Por ajo marrëveshje tashmë është veçse e theksuar sepse është e vetmja që s’e ka kaluar testin e Kushtetueses. E theksuar në kuptimin juridik e kushtetueses, sepse s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Tash procesi negociator duhet të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e riktheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierakik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se është e padrejtë që Marrëveshja për Asociacionin të jetë parakusht për të nisur bisedimet Kosovë-Serbi konform planin franko-gjerman.

“Procesi negociator do të duhej të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e Bashkimit Evropian kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje… 33 marrëveshjet e Brukselit janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht”, është shprehur Kurti pas përfundimit të ceremonisë hapëse të forumit ekonomik Kosovë-Kroaci. “Çështja e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel është përbrenda këtij propozimi të BE-së. Nuk mund ta nxjerrim qerren para kalit. Së pari kali, pastaj qerrja. Pra, nuk mund të përzgjedhësh një nen të caktuar me interpretim të njëanshëm dhe ta sjellësh para propozimit”.

Kurti përsëriti qëndrimin se kushtetutshmëria e Kosovës nuk e duron një asociacion njëetnik.

“Të gjithë ata të cilët e kërkojnë Asociacionin mbi baza etnike në emër të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë do të duhej ta marrin barrën e provës dhe të tregojnë pse propozimi i ish-presidentit finlandez, Ahtisaari, i cili e ka fituar edhe çmimin ‘Nobel’ për paqe, nuk qenka i mjaftueshëm apo na qenka defektuoz”, tha Kurti.

Kujtojmë se pa takimit me Kurtin e zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, mbrëmjen e së mërkurës, ishte emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai i cili tha se është arritur “dakordimi që të gjitha marrëveshjet të zbatohen plotësisht”.

“U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bisnik Bislimi, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak në Tëitter, pas takimit.

Lajçak erdhi sërish në Prishtinë, disa ditë pasi bashkë me katër diplomatët, Emmanuel Bonne, Jens Plettner, Francesco Talo e Gabriel Esocbar, të premten e shkuar gjatë qëndrimit disa orësh në Prishtinë e Beograd, u kanë prezantuar kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq, draftin e përditësuar 10 pikësh për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

E të martën, këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka telefonuar kryeministrin Kurti, të cilit i kërkoi që Kosova të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Këtë kërkesë e ka përsëritur edhe zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, i cili tha se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit.

Lidhur me zhvillimet e fundit në vend, nuk ka pranuar të flasë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier.

Hovenier në konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO” paralajmëroi se ka shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme.

“Jo, kam shumë gjëra për të thënë javën e ardhshme”, është përgjigjur shkurt Hovenier.

Ndryshe, ambasada e SHBA-së në Kosovë më 31 janar së bashku me partnerët në Prishtinë, do të diskutojë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë takim janë ftuar drejtues të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë.

Sipas ambasadës amerikane qëllimi i takimit është avancimi i mirëkuptimit të ndërsjellë ndaj angazhimit për themelimin e Asociacionit.

Një nga pjesëmarrësit do të jetë edhe ministri i Qeverisë Kurti, Nenad Rashiq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka konfirmuar se është ftuar nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vendimin e Rashiq për ta pranuar ftesën, e ka mirëpritur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Rohde ka thënë se është shumë e rëndësishme të çojnë përpara diskutimet për Asociacionin.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë