Loading…

Ndalimi i boksierëve kosovarë: Vucic i reagon ambasadorit Gjerman

  • 27/10/2021 | 09:34

Ndalimi i boksierëve kosovarë: Vucic i reagon ambasadorit Gjerman

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar të martën një deklaratë të ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, rreth ndalesës që u është bërë boksierëve të Kosovës për të marrë pjesë në një kampionat në Serbi, duke thënë se ambasadori nuk ka reaguar kur sportistëve serbë dhe klubeve serbe u është ndaluar pjesëmarrja nëpër kampionate.


Vuçiq ka thënë se boksierët nga Kosova nuk janë lajmëruar për pjesëmarrje në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, që po mbahet në Beograd.

“Është mirë që ambasadori gjerman në Prishtinë nuk ka reaguar kur u është ndaluar pjesëmarrja sportistëve tanë dhe klubeve tona, të cilat vetëm kanë dëshiruar të luajnë futboll. Siç mora vesh, ata nuk janë lajmëruar për pjesëmarrje, por vetëm kanë bërë shfaqje në kufi, kështu që, sinqerisht, nuk mund të merrem çdo gjë”, ka thënë Vuçiç në selinë e partisë së tij, Partia Përparimtare Serbe.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë të martën se politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë.

Duke komentuar vendimin e fundit të autoriteteve serbe, që t’ia pamundësojnë pjesëmarrjen ekipit të Kosovës në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, Rohde ka cituar reagimin e Bashkimin Evropian duke thënë se normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike.

Ai ka bërë këtë reagim duke iu referuar deklaratës së njëjtë që ka dhënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

“Parandalimi i boksierëve nga pjesëmarrja në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit shkon në drejtim të kundërt. Fatkeqësisht ky është shembull i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”, ka thënë Rohdes, në një postim në rrjetin social, Twitter.

Kampionati ka nisur në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nuk pengojnë sportistët që prezantojnë Serbinë, por tentojnë të ndalin aktivitete sportive paralele që zhvillohen në Republikën e Kosovës nga klubet serbe.

“Ato klube janë anëtare të federatave serbe, të cilitdo sport dhe zhvillojnë ndeshje të ligave të Serbisë në territorin e Kosovës. Kjo është ajo që nuk lejohen te ne”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova është duke ndërhyrë në sportin ilegal dhe se Ministria e Kulturës nuk është kundër klubeve të komunitetit serb.

“Janë dy ligje që shkelen, është Ligji për Sportin dhe e dyta sipas raporteve të Policisë së Kosovës që i kemi marrë, për çdo aktivitet që zhvillohet duhet të lajmërohet Policia 72 orë më herët. Këto organizata, këto klube, asnjëherë nuk i paralajmërojnë aktivitetet e tyre në polici”, ka shtuar ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Albin Kurti, ka thënë të hënën se, vendimi i Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit paraqet “shkelje të normave ndërkombëtare të sportit”.

“Serbia duhet ta tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi”, ka thënë Kurti në Twitter.

Kryetari i Federatës së Boksit të Serbisë, Nenad Borovçanin i ka thënë televizionit serb Pink më 25 tetor se Kosova nuk është paraqitur për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në Beograd.

“Kosova nuk është në listën e 103 shteteve, i ashtuquajturi shtet i Kosovës. Janë 103 vende pjesëmarrëse ndërsa Kosova nuk është aty sikurse as boksierët e tyre”, ka thënë Borovçanin.

Sa i takon ndalimit të hyrjes së sportistëve nga Kosova në territorin e Serbisë, Borovçanin ka thënë se bëhet fjalë për “gjoja ndalim”. Sipas tij, kjo është një përpjekje për “politizimin e sportit, mashtrim dhe manipulim”.

“Mua më vjen keq që bëjnë provokime të tilla dhe në këtë mënyrë po e politizojnë dhe po e keqpërdorin sportin..sportistët. Sporti është i pastër dhe duhet të mbetet i tillë. Për çfarë arsye (nuk janë lejuar të marrin pjesë) ne do të informohemi shpejt dhe do të njoftojmë zyrtarisht”, ka thënë ai.

Më 26 tetor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka paralajmëruar se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Kosova është dashur të përfaqësohet këtë vit në Kampionat nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami./REL

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë