Loading…

Navigacioni Ajror sqaron marrëveshjen me KFOR’in

  • 02/02/2018 | 19:29

Navigacioni Ajror sqaron marrëveshjen me KFOR’in

 

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) ka sqaruar marrëveshjen me KFOR-in, ku sipas këtij agjencioni marrëveshja rregullon procedurat e raportimit të cenimit të hapësirës ajrore të Kosovës.

Sipas menaxherit të Departamenti të Shërbimeve të Trafikut Ajror, pranë Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Izedin Ademi marrëveshja me KFOR-in është kryekëput për bashkëpunim.

Ai për KosovaPress ka deklaruar se ajo çka ka dal në media gjatë ditë së sotme  lidhur me sigurinë e Aeroportit të Prishtinës, kontribuon negativisht për këtë aeroport.

 

“Me KFOR-in kemi pasur bashkëpunim prej ditës që kemi ardhur këtu, nuk është diçka e re. Do të thotë që marrëveshjet e tilla janë shumë normale, marrëveshja është kryekëput për bashkëpunim. Marrëveshja në fjalë është për raportim të cenim të sigurisë të hapësirës ajrore të Kosovës, që ka të bëjë me sigurinë, ka të bëjë me nivelin tjetër, jo me atë çfarë ka dal nëpër portale. Çka ka dal nëpër portale, është me tepër kontribut negativ, marketing negativ, ndaj portit tonë të vetmit fatkeqësisht në Kosovë edhe eventualisht si pasojë e ndjekjes së udhëtarëve tanë drejtë aeroporteve tjera në rajon, të Shkupit, Nishit, Beogradit etj. Kështu që marrëveshje të tilla janë normale, për mbarëvajtje ne e kemi pas KFOR-in prej ditës së parë partner në bashkëpunim me legjislacion të Kosovës, me legjislacion ndërkombëtar. Hapësira ajrore e Kosovës është pronë e NATO-s, KFOR-it, në këtë rast përmes NATO-s, zyrtarisht na jemi ofrues të shërbimeve ofrojmë shërbime tash për komunitetin, mirëpo në fakt e kemi KFOR-in partner në këtë ofrim të shërbimeve”, tha ai.

Ademi për KosovaPress ka sqaruar se marrëveshja me KFOR-in e bërë në  majin e  vitit të kaluar, në thelb i rregullon procedurat e raportimit të cenimit të hapësirës ajrore të Kosovës nga një fluturake pa qëllim apo me qëllim.

 

“Marrëveshja në thelb i rregullon procedurat e raportimit të cenimit të hapësirës ajrore të Kosovës nga një fluturake pa qëllim apo me qëllim, kemi raste kur hapësira ajrore cenohet nga dikush pa qëllim e devijon rrugën për x arsye, ose kemi raste të qëllimshme fatbardhësisht nuk janë të shumta dhe nuk kemi takuar raste të tilla, të cilat duhet me u hetua pastaj. Marrëveshja ka të bëjë thjeshtë me raportimin”, tha ai.

Menaxheri i  Departamenti të Shërbimeve të Trafikut Ajror, pranë Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Izedin Ademi për KosovaPress ka thënë se shërbimet e navigimit që i ofron ASHNA-së, i takojnë nivelit të standardeve evropiane.

Ademi: Shërbime e ASHNA-së i takojnë standardeve evropiane

“Shërbimet e navigimit, të cilat i ofrojmë ne Agjencia e Shërbimit të Navigimit Ajror të Kosovës janë shërbime të kualitetit shumë të lartë, janë shërbime të niveleve dhe standardeve të Evropës”, tha ai.

Ademi iu ka bërë thirrje të gjithë udhëtarëve që i shfrytëzojnë linjat ajrore në Aeroportin e Prishtinës, sepse është shumë i sigurt dhe mos të mbështetet në informata të pa vërteta.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka tentuar të sigurojë një kopje të kësaj marrëveshje, por kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të procedurave.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme në media online ka qarkulluar lajmi se  pas 10 viteve KFOR-i kthehet në Kullën e Trafikut Ajror në  Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, për shkaqe sigurie, lajm ky i cili ka shkaktuar reagime nga vetë  Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), KFOR-i dhe Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës.

Në komunikatën drejtuar mediave nga ASHNA lidhur me lajmin, thuhej se ASHNA-ja konfirmon se siguria dhe i gjithë aktiviteti i operimeve në ASHNA, kryhet nga stafi vendorë, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.

Në lidhje me prezencën e KFOR-it në Kullën e Trafikut Ajror, vlen të theksohet se Neni 15, paragrafi 1 dhe 2 i Ligjit 04/L-250 për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, theksohet:

1. ASHNA duhet të koordinojë dhe bashkëpunojë me shërbimet dhe njësitë adekuate të NATO-s, shërbimet, njësitë tjera kombëtare dhe ndërmerr hapat e nevojshëm për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve me shkrim midis ASHNA-s dhe autoriteteve të NATO-s ose të marrëveshjeve ekuivalente ligjore lidhur me menaxhimin e blloqeve specifike të hapësirës ajrore.

2. Asgjë nga ky ligj nuk e ndalon që në të ardhmen të zhvillohen dhe zbatohen shfrytëzime fleksibile të hapësirës ajrore dhe procedura për menaxhimin e hapësirës ajrore së bashku me autoritetin përkatës të NATO-s, që merret me shërbimin e navigacionit ajror.

Lajmin se është kthyer KFOR-i në Aeroportin e Kosovës për shkaqe sigurie, e ka përgënjeshtruar edhe zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso.

Se nuk ka asnjë shqetësim rreth sigurisë në Aeroport e ka konfirmuar edhe Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror e ka nënshkruar  marrëveshjen e  bashkëpunimi me KFOR-in më 26.05.2017.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë